Nga Emin Azemi
Nëse i bëhet një krahasim sipërfaqësor të dy dokumenteve – Marrëveshjes së Ohrit dhe Pakos së Ahtisarit, do të mund të vërejmë një dallim kuantitativ e kualitativ të dimensioneve që rregullojnë raportin në mes të shumicës dhe pakicës, që rregullojnë çështjen e statusit të gjuhëve, statusit të bashkësive fetare, lidhjeve me shtetet amë, financimin dhe autonominë e komunave, funksionalitetin e institucioneve shtetërore në tërë territorin, karakterin unitar të shtetit etj.
Jofunksionaliteti institucional i shtetit të Kosovës në tërë territorin po ndodhë për shkak të mangësive që prodhon modeli defektuoz i Pakos së Ahtisarit, i cili në parim ka lënduar rëndë karakterin unitar të Kosovës, duke i dhënë kompetenca të pamerituara pakicës serbe, e cila në çfarëdo situate dhe konfigurimi demografik i ka të garantuara 20 vende në parlament, me tendencë të bosnjizimit të Kosovës.
Ku ndeshen Badenteri dhe Ahtisaari?
Në Maqedoni, funksionon një mekanizëm tjetër –Badenteri, që parandalon majorizimin e pakicës nga shumica, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, shqiptarët nuk e kanë keqpërdorur këtë mekanizëm dhe nuk e kanë kuptuar si dhuratë, por, përkundrazi si produkt i një lufte të gjatë për demokraci e barazi. Megjithatë, keqpërdorimet kanë ardhur nga maqedonasit në disa komuna shqiptare, të cilët ende mbajnë të bllokuar disa nisma e projekte, duke e lexuar mbrapsht parimin e Badenterit (!)
Në Kosovë kishat dhe manastiret kanë status ambasade, madje edhe mijëra hektarë toke përreth. Ekstraterritorialiteti i tyre promovon një model të paparë, që cenon jo vetëm kompaktësinë territoriale dhe karakterin unitar të Kosovës, por krijon parakushte të tmerrshme të segregimit të komuniteteve fetare, si një hap që më tepër e shkërmoq mozaikun ndëretnik se sa që e afron dhe e integron në një filozofi unike politike e institucionale. Ky ekstraterritorialitet, të cilin po e kërkojnë me këmbëngulje serbët në dialog, është paradhoma e Republika Srpska.
Në Marrëveshjen e Ohrit vetëm Kisha Ortodokse Maqedonase njihet si bashkësi fetare zyrtare dhe me këtë formulim, sërish kjo marrëveshje nuk paraqet kurrfarë modeli për botën tjetër jashtë Maqedonisë.
Marrëveshja e Ohrit dhe Pakoja e Ahtisarit kanë prejardhje të ndryshme sa i përket shkak-pasojave që prodhuan finalizimin e këtyre dokumenteve. Marrëveshja e Ohrit erdhi si epilog i një lufte që bënë shqiptarët për të siguruar status të barabartë në Maqedoni. Pakoja e Ahtisarit erdhi si rezultat i kompromisit që bëri bashkësia ndërkombëtare për të kompensuar “fajin” që tregoi me rastin e pavarësimit të Kosovës. Derisa në Maqedoni kompromisi (Marrëveshja e Ohrit) ishte i brendshëm, në rastin e Kosovës kompromisi (Pakoja e Ahtisarit) ishte me Serbinë për të neutralizuar ambiciet e saja kundër shtetësisë së Kosovës, por jo edhe për të garantuar mosndërhyrjen e saj në sovranitetin juridik e territorial të Kosovës.
Sipas kushtetutës serbe, Kosova është ende pjesë e Serbisë dhe këtë agresion kushtetues nuk ka mundur ta parandalojë Pakoja e Ahtisarit, ashtu siç ka bërë Marrëveshja e Ohrit e cila shqiptarët i trajton (në preambulë) si pjesë e popullit shqiptar, që me automatizëm përjashton karakterin e autoktonisë dhe shtetfomësisë së shqiptarëve në Maqedoni, përfshi edhe standardet e dyfishta në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe ( e cila njihet si 20%), pastaj mungesa e rajonizimit dhe decentralizimit fiskal, përfaqësimi jodinjitoz në nivelet e ndryshme të pushtetit, refuzimi kategorik i shqiptarëve në disa segmente të jetës institucionale etj.
Nëse bashkësia ndërkombëtare, sidomos BE dhe Washingtoni, këto favorizime për serbët e Kosovës i bëjnë për të neutralizuar ndikimet ruse në rajon, ky është hap tepër i gabuar, sepse me këtë çelet “Kutia e Pandorës” që favorizon formula etnike (ekstraterritoriale) në shtetet multietnike, ku bënë pjesë edhe Serbia dhe Maqedonia. Për rrjedhojë, Rusinë e ke me dy këmbët në rajon, madje duke e fuqizuar edhe më tepër ndikimin e saj në këtë pjesë të Evropës Juglindore!
Çfarë garancie kanë BE-ja dhe Washingtoni se të njëjtën formulë të serbëve të Kosovës, nuk do ta kërkojnë nesër edhe shqiptarët në jug të Serbisë dhe ata në Maqedoni?/ e.a
Shkup, 18 mars 2023