Home Gjeo-Ekonomia Rusët fajësojnë për gjithçka qeverinë, amerikanët prindërit, polakët historinë…ne shqiptarët?

Rusët fajësojnë për gjithçka qeverinë, amerikanët prindërit, polakët historinë…ne shqiptarët?

Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ i Çapajev Gjokutaj

Rusët fajësojnë për gjithçka qeverinë, amerikanët prindërit, polakët historinë. Lexoj se kështu paska thenë poeti amerikano-rus Joseph Brodsky.

Jam i prirur që të mos besoj në përgjithësime të tilla, ku i njomi dhe i thati futen në një vathë e milen në një shtrungë.

Edhe 5-6 veta që diskutojnë në një kafene vështirë se bien dakort se kush na e ka fajin që kemi 100 vjet dhe s’po bëjmë që s’po bëjmë dot shtet për të qenë. Hajde e përgjithëso me një të rënë të lapsit se ç’prirje kanë e kë fajsojnë popuj qindramilionësh.

Por një mendje tjetër më thotë se gjithsesi ka diçka racionale në thenien e Brodsky-t.

Rusët kanë jetuar e jetojnë në sisteme autoritare e totalitare, ndaj është logjike që për ta shteti të bëjë dhe shiun dhe diellin, dhe hyun dhe satananë, dhe fatin dhe taksiratin.

Polakët historikisht kanë qenë të ndrysur e të grisur mes kafshimeve të gjermanëve dhe rusëve, ndaj mund të fajësojnë historinë.

Amerikanët, që nga fillimi i kolonizimit të Botës së Re, kanë jetuar në një sistem ku vendos kryesisht nicjativa e lirë, individualizmi dhe sipërmarrja, ndaj mund të priren ta shfryjnë mllefin tek prindërit.

Gjynah mos paça, por kur jam i lodhur e tundohem të bëhem cinik, them se jo pak prej nesh, dmth shqiptarëve, fajësojnë edhe prindërit, edhe qeverinë, edhe historinë.

Pastaj kujtohem se prirja për të fajsuar të gjithë të tjerët, por jo bashkëkohësit – duke filluar mundësisht nga vetja – është prirje fëmijësh. Këta, me që ndihen të dobët deri në britmë, fajësojnë gjithçka. Vocërraku që sa ka marrë këmbët psh rreh karriken që e pengon, paçka se është ai që vete e përplaset me të.

Por s’kalon shumë dhe një dell ironik më zhyt edhe më thellë se më shtyn të mendoj që jashtëzimi i fajit si dukuri fëmijërore, mund t’u shkojë popujve të rinj, por kurrsesi pasardhësve të pellazgëve.

Bëre ç’bëre, iu zbraze popullit, i them vetes dhe prapë më kujtohet fëmija që rreh karriken🤡

( Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ )

Share: