Home KRYESORE Magjia e përjetimit që rrëshqet linjat e një dehje në një vijë...

Magjia e përjetimit që rrëshqet linjat e një dehje në një vijë me laps

Nga Albert Vataj

Një vijë e lakuar shpesh nuk është vetëm një rrëshqitje lapsi karboni mbi një letër. Ajo është shumë më shumë, sepse perceptimi ynë e ka të skalitur në kodin e dalldisjes trajtën e joshjes, linjën e hollë të përjetimit, dritimin e beftë që konturon format që derdhen brenda nesh si konstelacion yjësish për të kumtuar solemnitetit e një epjeje zjarri.

Ajo i ngjet më shumë se një rrëshqitje të shkujdesur dhe tërësisht të pafajshme lapsi mbi letër, një ledhatimi delikat që derdhet si një ravijëzim mbi linjën delikate, ku skajon shkulmi drithërues i një përjetimi. Merr trajtë një gjendje dhe një forcë e tillë jetësimi, aq sa asnjë mundësi rrëfimi dhe shkujdesje poetike shpërfaqje, nuk do ta ravijëzonte kaq ëmbëlsisht, me kaq delikatesë, finesë dhe klas një ofrim të përkorë perëndie.

Aty ku drita përcakton linjat dhe epshi i vë zjarrin të gjitha trajtave duke ju dhënë një përjetimi.
Një vijë e lakuar është një linjë e ripërcaktuar brenda atyre caqeve ku konturojmë një gjendje, profilizojmë një marrëdhënie dhe selektojmë caqet e plazmimit joshës, asaj pranie, të cilën një poet do ta gdhendte në vargje, një muzikant do ta derdhte në tinguj, në shkulm ndijues, do ta prushonte në një ofshamë a rënkim.

Abstraksioni i një vijëzimi të pandalur dhe krijimi përmes kësaj zhdërvjelltësie të atypëratyshme, i konturimit të imazhit është një shkrepje e beftë e një force përjetuese, një shprehje të cilën piktori rreket ta jetësojë, duke e bërë prezent kaq thjeshtësisht, pa paleta ngjyrash dhe oratori dritëhijesh, pa kodifikim tonesh dhe tejpashmëri kumtimi.

Shpesh ne shohim vetëm kaq dhe do të mjaftoheshim vetëm me një vijëzim me laps për të përjetësuar në vepër arti atë që natyra ka derdhur me një bujari të begatë në atë gjithëprani të epeshët kurmi femëror.

Share: