Home KRYESORE Ndryshimi I dhimbshëm demografik!

Ndryshimi I dhimbshëm demografik!

Nga Irena Beqiraj

Shqiptarët po lindin më pak fëmijë sesa në të kaluarën, dhe kjo ka pasur dy efekte të lidhura: popullsia në tërësi po rritet më ngadalë si dhe po rritet mosha mesatare e popullsisë .

Megjithëse sot Shqipëria nuk është vendi më i moshuar në Europë, ajo po plaket jashtëzakonisht shpejt. Një tregues i kësaj dukurie është përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç . Në Europë, u deshën mesatarisht 26 vjet që ky raport të rritej nga 15% në 20%; në Shtetet e Bashkuara u deshën më shumë se 50 vjet .

Në Shqipëri të dhënat demografike tregojnë se mosha mbi 65 nga 5.5% që zinte në vitin 1990 ,sot zë rreth 16% të totalit të popullsisë Nëdërkohë që parashikohet se popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart do të arrijë në 26.4% në vitin 2050.

Ky trend demografik ka implikime të medha për vendin. Ekonomisë tonë i ka mbetur shumë më pak kohë krahasuar me kohën që patën ekonomitë e zhvilluara për t’u përgatitur për kalimin në një shoqëri të moshuar. Për më tepër, ky kalim shoqërohet me kostot e larta fiskale të plakjes, ndërkohë që jemi ende një komb relativisht i varfër. Një popullsi në plakje con në një ekonomi edhe më pak dinamike.

Madje rritja e ngadaltë e popullsisë në vetvete është një burim i stanjacionit ekonomik . Një popullsi në rritje të shpejtë do të thotë rritje e kërkesës për produkte të të gjitha llojeve – shtëpi të reja, restorante, qendra tregtare, e kështu me radhë. Kjo do të thotë më shumë biznese, që do të thotë më shumë mundësi për zhvillim. Në të kundërt, në një vend me një popullsi në plakje , fillimi i një biznesi të ri do të kërkonte zëvendësimin e një biznesi ekzistues.

Studimet empirike tregojnë se çdo rritje prej 10 për qind në fraksionin e popullsisë mbi moshën 65 e ul PBB-në për frymë me 5.5 për qind. Një e treta e këtij reduktimi vjen nga rritja e ngadaltë e punësimit; dy të tretat për shkak të ngadalësimit të produktivitetit të punës.

Efektet e plakjes, shume shpejt do të cojnë në krizën e sistemit të pensioneve . Për më tepër gratë, të cilat jetojnë mesatarisht 6-7 vjet më shumë se burrat dhe zakonisht janë disa vjet më të reja se bashkëshortët e tyre, do të paguajnë çmimin më të lartë për këtë ndryshim të dhimbshëm demografik.

Rritja e popullësisë lidhet me kostot e rritjes së fëmijëve. Të rritësh një fëmijë, është një investim të paktën 18-vjeçar, i cili kërkon , strehë, siguri ekonomike, shëndetësore edhe arsimore, edhe familjet shqiptare përballen me këto 3 sfida të mëdha. Së pari, të ardhurat e disponueshme të familjeve shqiptare janë më të ultat në rajon .

Së dyti strehimi është i papërballueshëm. Për të kuptuar cmimet e papërballueshme të banesave mjafton të përmendim qe tregu shqiptar i banesave vlerësohet rreth 3.3 herë më shumë se PBB-ja e vendit, ndërkohë qe tregu amerikan i pasurive të paluajtshme vlerësohet sa 1.6 herë e PBB-së amerikane .

Se treti arsimi edhe shërbimi shëndetësor publik i dobët i shtyjnë familjet shqiptare drejt shkollave edhe shërbimit mjekësor me pagesë . Miksimi i këtyre 3 komponentëve afatgjatë, bën thuajse të papërfillshme cdo zgjidhje afatshurtër, të ofruar sikurse është bonusi i bebeve apo sic është edhe premtimi i opozitës për pagesën e pagës së plotë për 1 vit për nënat .

Qasja e cdo ane të politikebërjes, për t’ju dorëzuar me një lehtësi maramendëse tundimeve afatshkurtra, madje edhe varësive nga rrjetet sociale , ku vritet koha, ku vështirë se gjenerohen zgjidhje përtej propagandës, është komponenti i katër që shtohet sfides së familjeve të reja shqiptare , të cilat në mungesë të zgjidhjeve, drejtohen një njeherë e mirë drejt emigracionit.

Këto rreshta nuk jane aspak për të nxirrë sukseset e pa arriturra të qeverisë , as për të vendosur në dyshim sukseset imagjinare që ëndërron opozita e stërprovuar . Këto rreshta nuk janë as shtysë për të hapur debat në podcast -et më të reja në vend .

Këto rreshta jane daulle për ato që kanë vesh ,por mbi të gjitha për ato që e duan Shqipërinë, nese ka mbetur ende ndonjë i tillë.

Share: