Nga cikli “Dritëhijet e racionales” i Çapajev Gjokutaj
Njerëzit besojnë në gjëra të ndryshme. Disa besojnë te Zoti. Të tjerë te shkenca. Të tjerë tek drejtësia dhe shteti.
Ka vetëm një gjë në të cilën besojnë gjithë njerëzit, pa përjashtim: paraja.
Tingëllon e çuditshme, por është e vërtetë. Ti merr ca pare a, më saktë ca copa letre, shkon tek dikush që as e njeh e as të njeh, i jep letrat dhe ai në shkëmbim të jep ushqim, apo veshje, apo argëtim apo ç’të të duhet. Shkëmbime të tilla bëhen të mundura nga që të gjithë, teistë dhe ateistë, besojmë tek paraja.
Puna bëhet edhe më çuditshme kur paranë e paraqesim si burim i gjithë të këqijave, si mishërim të grykësisë, kopracisë, pashpirtësisë etj. etj.
Paranë duhej ta çmonim jo vetëm se na e bën jetën më komode, por sidomos se lehtëson punën në tregje dhe, si pasojë, ndikon në rritjen e prodhimit, në zhvillimin e shkencës dhe artit, në nxitjen për të punuar etj.
Gjithë këto funksione paraja i ka kryer duke sakrifikuar veten në shekuj. Nga monedhë ari a argjendi, erdh e u bë copë letre me ngjyrë, për t’u katandisur sot në një klikim. U trete, para, u trete…
Thënë shkurt: Paraja me bukë, ne me gurë. S’e shohim me brerore, por me brirë. Hajde e merre vesh këtë mesele.
(Nga cikli “Dritëhijet e racionales”)