Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Ju tregoj totalitarizmin e ri, idhujtarinë që na kthen me sukses në...

Ju tregoj totalitarizmin e ri, idhujtarinë që na kthen me sukses në parahistorinë e largët!

Politika, opium për popull!?

Nga Fahri Musliu

Me politikën sot është sikur me religjionin dikur, të cilin filozofët, Marksi& Engelsi, e quanin “Opium për popullin”!

Gjatë dy dekadave të fundit politika tek ne është bërë një lloji i metafizikës dhe i religjionit të ri, një opium ekzotik për masat e gjera popullore. Ajo është një Moloh (perëndi e fenikasve), që po kërkon viktima të mëdha e të rënda, dhe e cila po gëlltit gjithçka, po përshkon çdo pore të jetës tonë. Politika, është e pranishme në gjithçka dhe çdo kund, çdo gjë i është nënshtruar asaj – nga ajo është orientuar dhe nga ajo shtrydhët fuqia dhe forca. Në atë religjion (politikë) të së sotmes “kryeperëndi” është prijësi (shefi) partiak.

Populli i zgjedhur dhe vlera më e lartë është partia (kasta); e mira supreme është organizata e fortë dhe efikase; morali më i lartësuar i adhurimit të prijësit dhe i status quos; liria më e madh është zhytja në parti dhe deformimi total. Zëdhënësit janë “apostuj të religjionit të ri”. Puna më përfituese është të jesh anëtar i partisë (kastës), bukuria më e lartësuar është glorifikimi i prijësit, i Këshillit të Përgjithshëm (si dikur Komiteti Qendror të Partisë Komuniste), i Kryesisë së partisë (të shenjtëve partiak) dhe i oligarkëve; obligimi primar është që të mos kesh Unin tënd (qëndrimin, gjyqin tënd…) veç Unin e partisë, dhe të flasësh atë çka mendon dhe dëshiron prijësi (kryezoti); të arriturat më të ndritshme intelektuale janë apologjitë (elozhet) e suksesshme për gjithëdijshmerinë dhe rolin mesian të prijësve të partisë dhe i gjithë veprimeve të tyre.

Partia i ka librat e vetë të “shenjta” (programin, statutin), „ikonat” (fotografitë në format të madh të prijësit), „gjësendet e shenjta” (distinktivët, suvenirët), „tempujt” (selitë e parive), „festat”, „ritualet”, (shënimi i ngjarjeve dhe përvjetorëve të lavdishëm nga lufta e fundit, apo i ndonjë personaliteti të dashur nga sekta).
Intelektualët dhe shkencëtarët më të çmuar, janë ata “shërbyes” cilët propagandojnë “mendimin sundues në pushtet.”

Aty janë edhe fjalët e shenjta – mantrat: „vullneti i popullit”, „interesi kombëtar dhe shtetëror” (qytetari nuk ekziston) , “ të drejtat e njeriut”, „demokracia”, „tregu i lirë”, „Evropa”, „sovraniteti dhe integriteti i Kosovës”, “ustria”, “Serbia dhe Rusia, por edhe Kina si armiq të përbetuar”, dhe së fundi Ligji mbi mbrojtjen e vlerave të UÇK, , Liria ka emër, Gjykata e padrejtë dhe një etnike e Hagës,” Asociacioni i komunave me shumicë serbe…

Jo-bashkëmendimtarët dhe ata që kritikojnë janë armiq. Kush e lëshon partinë është heretik ose renegat, dhe më i rrezikshëm se jo bashkë – mendimtarët. “Shpëtimi” i popullit nis kur “ne” të vijmë në pushtet, kurse “parajsa” kur të bëhemi pjesë e BE, KB dhe NATO-s dhe kur “këta” të largohen nga pushteti.

Ditët e “zgjedhjeve” janë shndërruar në kohë apokaliptike, ritual i sekteve apo pagane. Ato janë “ditë vendimtare, ditë të jetës ose vdekjes”. Për t’u marrë pushteti ose për të mbetur në pushtet çdo gjë është e lejueshme: të gjitha metodat e shpëlarjes së trurit, premtimet boshe, falsifikimi, vjedhja, hipokrizia, lakmia, vardisja, fyerjet, shpifjet, shantazhi, ryshfeti… Është detyrim që publikisht të angazhohesh për gjërat e përgjithshme, për të mirën popullore e shtetërore, e praktikisht çdo gjë duhet nënshtruar interesit personal, klanor (familjar) dhe atij partiak .

Këtë religjion të ri – politikën (patrinë), gjithkah dhe në çdo vend, e bëjnë të pranishme mediet. Ato i kushtojnë asaj më shumë kohë dhe hapësirë se gjitha ngjarjeve tjera (por edhe ato tjerat pak a shumë janë me sheqerosje politike). Mediet në masën më të madhe janë “servis” i apostullit dhe i predikuesit të fjalëve e parullave boshe, të çnderimit, fyerjeve dhe shpifjeve.
Ato në masën më të madhe janë në shërbim të njerëzve – vetreklamues të cilët vetveten e kanë shndërruar në religjion, të cilët nuk kanë për askënd fjalë të mira, as për veten të këqija dhe janë shndërruar në gjitholog.

Kjo politikë (religjion) e re është politikë e shkatërrimit, rrënimit, çintegrimit, urrejtjes, plaçkitjes, e aftë vetëm për prodhimin e njerëzve matrapaz, të dështuar dhe të paaftë. Ky është totalitarizëm e ri, idhujtari që na kthen me sukses në parahistorinë e largët. Nëse gjykohet sipas “agjitimit” dhe veprimit të partive tona, gjatë viteve të shkuara, mund t’ua kenë lakmi edhe sektet më totalitare. Që dikë ta rekrutojnë dhe përfitojnë, çdo gjë është e lejueshme: korrupsioni, shantazhi, premtimet e rrejshme, frika, kërcënimet, demonizimi i jo-bashkëmendimtarëve, FABRIKIMI I ARMIQËVE , krijimi i panikut, apatisë dhe i pashpresës.

E gjithë kjo bëhet në emër të “idealeve të shenjta”: „pavarësisë së Kosovës”, „Evropës”, „NATO-s”, “të ardhmes së ndritshme”, „mirëqenies kombëtare”. Dhe kështu, me shpejtësi marramendëse, me sukses dhe efikasitet, i heqin kufijtë midis të vërtetës dhe gënjeshtrës, të mirës dhe të keqes.

Pra, me politikën sot është sikur me religjionin dikur, të cilin filozofët e quanin “Opium për popullin”, dhe duket se kjo do të ketë edhe më tutje ardhmëri të mirë, meqë ne nuk do ta kemi, nëse populli vazhdon të jet indiferent dhe hesht ndaj ndaj asaj që prodhon politika.

Politika e mbrapsht e destruktive pa vizion shtetëror e qytetar, ia doli që tua mbyt shpresën qytetarëve të vet, veçmas rinisë të cilët shpëtimin po e shohin vetëm në ikje nga vendi. Kështu që VENDI PO BOSHADISET E POLITIKANËT PO I FËRKOJNË DUART SE DO TA KENË MË LEHTË TË SUNDOJNË ME PLEQ E MILINGONA!
(Fa.)

Share: