Home KRYESORE Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ i Çapajev Gjokutaj

Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ i Çapajev Gjokutaj

Ose ke rrjedhur, ose kërkon të bësh interesantin tani në pleqëri e të marrësh sa më shumë pëlqime fejsbuku; por në të dyja rastet nuk të falet të shash gjuhën e ta vësh posht ndjenjës; medemek ndjenja e instikti në tabelë nderi, gjuha e mendimi tek ‘Bodeci,.

Kështu më shkruan një mik rinie, ai i Kanadasë që pleqëron me të bijën dhe që, me sa duket, mosha dhe vetmia e kane bërë më acid në komunikim. Dhe pastaj miku shton: të kujtohet sa emocionoheshim në rini, kur Kadri Roshi në rolin e Ezopit i ngrinte monoment gjuhës?

“A ka gjë më të mirë se gjuha, imzot?, pyetste skllavopronarin kokëtul. Gjuha na bashkon, pa gjuhë nuk mund të shprehim dot asgjë. Gjuha është kyçi i shkencës, arma e arsyes, burimi i së vërtetës. Me ndihmën e gjuhës shprehim dashurinē, me gjuhë japim mësim, bindim, detyrojm, këndojmë, rrëfejmë, vendosim. Me gjuhë shqiptojmë fjalët ‘nënë’, ‘zot’, ‘e dashur’. Me gjuhë themi po, gjuha i urdhëron ushtarët që të shkojnë në fitore, me gjuhë lavdërojmë Homerin, shijojmë tragjeditë e Eskilit. E gjithë kultura nga bëmat e Zeusit tek profecitë e Delfit, nga odet e poetit tek mendimi i filozofit gjallon e trashëgihet me anën e gjuhës.”

Por miku harron ose lë pa përmendur faktin që vetëm pak çaste më vonë, po ai Ezop deklamon të kundërtën:

“Gjuha, o zoti im, është gjeja më e keqe që njohim në këtë botë. Gjuha është burimi i të gjitha grindjeve, është nëna e të gjitha të këqiave, gjuhën e përdorin shkarashkruesit që na shiten si poetë, kavallit të gjuhës i bien kapso filozofët. Gjuha mbulon, shtrëmbëron, shan, fyen, dekurajon, pështyn, tradhton, thotë maskarallëqe e budallallëqe. Me gjuhë Akili shprehu tërë mërinë e tij, me gjuhë Odiseja kurdisi kurthet e tij. Ja perse gjuha është gjëja më e keqe prej të gjitha gjerave që njohim deri më sot.”

Po të linim menjanë qasjen teatrore e të vinim te qasja e logjikës unë do t’i thoshja mikut tim se gjuha ka shumë më tepër merita.

Pa gjuhë njerëzimi s’do mundte të ruante e të transmetonte diturinë që ka mbledhur në shekuj, çdo njeri do trashëgonte instiktet, por dijet do t’i merrte vetëm nga përvoja e tij, dmth çdo individ do fillonte të mblidhte dije nga e para. Dije zeza, mbledhur e gjitha në parimin ‘provo, pëso, mëso’. Pa gjuhë s’do dinim se ç’ka thënë Platoni e Aristoteli, Njutoni e Ajnshtajni, madje pa gjuhë këta e të tjerë nuk do kishin thënë gjë fare e do e kishin kaluar jetën duke bërë blla, blla, blla si idioti i mëhallës🤭

Pa gjuhë njerëzit s’do mund të bashkoheshin në komunitete reale e imagjinare si fshati, qyteti, krahina, kombi, partia, sindikata, kongregacioni, xhemati etj. Dhe ashtu të atomizuar s’do bënin dot më shumë sesa bën një grup elefantësh a shimpazesh. Zemereku i progresit njerëzor është bashkëpunimi në grupe milionshe e milardshe. Një mëndje, hiç mendje tha i pari.

E megjithatë, tërë këto merita të gjuhës nuk më pengojnë të përsëris: ndjenja mbetet më drithëruese kur nuk shprehet me fjalë, po me mimikë, me gjeste, me veprime. Prania e fjalës rrezikon t’i heqë ndjenjës magjinë dhe puritetin, ta përziej me gjëra të tjera. Po ari është ar kur vjen shqeto, i papërzier🤔

( Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ )

Share: