Home KRYESORE Polemika/ E vërteta e restaurimit pa yll te mozaiku i Muzeut

Polemika/ E vërteta e restaurimit pa yll te mozaiku i Muzeut

Restaurimi nga BE-ja i mozaikut që dominon ballin e muzeut kombëtar dhe sheshin qëndror të Tiranës, ka ndezur një valë të fortë polemikash. Ndonëse programi  “EU4Culture” kishte për qëllim ruajtjen nga dëmtimet e kohës së kësaj vepre tipike të realizmit socialist, zbulimi i saj nga flamuri i BE-së pas inagurimit nuk ka ngelur pa u politizuar. Ndryshe nga origjinali gjigand, plot 400 m2, që u përurua në vitin 1981, në versionin e tanishëm nuk duken më dy yjet me pesë cepa të origjinalit dhe as njëri nga librat ideologjikë që njëri prej punëtorëve mbante në duar. 

A retushohet arti politikisht?

Kjo ka ngritur pyetjen nëse ka kuptim një restaurim që e censuron ideologjikisht një vepër arti? “Restaurimi i pritshem me nje fond te Bashkimit Europian e konsolidoi vepren nga gjendja strukturale por nuk ktheu pjeset e hequra me pa te drejte nga nje veper qe i perket nje epoke tashme te perfunduar.  A duhet retushuar historia ne këtë menyre? 

A duhet qe periudha post komuniste te veproje me te njejtin standart si praktikat e periudhes komuniste e cila retushonte historine perpara saj?  A ka rrezik qe ashtu si brezi i lindur dhe rritur ne komunizem  cili e mesoi historine te deformuar, edhe brezi post komunist te ndjeke te njejten menyre te mesuarit te historise?  A duhet nej veper e financuar nga fonde europiane te perfaqesoje nje histori te retushuar?- ndezi polemikën me një postim të tijin në Facebook Auron Tare

Që vepra është tipike e soc realizmit kjo nuk ka asnjë diskutim. Arkitekti dhe militanti i mbrojtjes së traditës, Artan Shkreli e vëren këtë përmes disa detajeve. “kam qenë gjithnjë i mendimit që ky mozaik të ruhet; edhe sepse askund si këtu nuk lexohet kaq qartë Realizmi Socialist Shqiptar, dhe se asnjë kritikë ndaj tij nuk do të ishte më e përshtatshme sesa vetë ky mozaik.Peut être un dessin de danse

Rrafshet e leximit janë të shumta, por pata ngasjen të nënvizoj një syresh (rastësisht): si shihej atëherë roli i gruas te “SHQIPËRIA” : Në trembëdhjetë (13) njerëz që ka mozaiku, vetëm tri (3) janë gra, dhe që të trija me pushkë… nuk janë aty as si nëna, as si të dashura, as si edukatore, madje as si punëtore…  por të trija ME PUSHKË! Gruaja si “machine de guerre”!

A vlejnë komunistët sa 1000 vjet histori?

Por nga ana tjetër ka nga ata që e konsiderojnë herezi jo vetëm kthimin e simboleve të zhdukura, por edhe hapjen e debatit për këtë mundësi. “Qindra reagime për mungesën e yllit komunist dhe librit të Marksit në mozaikun e pështirë të realizmit socialist, që tenton të na mbushë mendjen se komunistët vlejnë sa mijëra vjet histori të shqiptarëve bashkë. Janë të paktë ata që kanë kurajo e të thonë që kjo vepër e turpshme ideologjike është hipokrizi e ndyrë që i rri në mes kryeqytetit të një shoqërie të kalbur që nuk dënoi askënd për krimet e shumta. Indinjohen për “retushimin” e një vepre por aspak për krimet e pandërshkuara. Shoqëri me elitë nihiliste” ka shkruar historiani Erald Kapri.

Po pëtej debatit sa është e drejtë prekja e një vepre aristikeme ndryshimin e regjimeve, a duhet ti përshtatet ajo kohërave të reja, a është tabu retushimi i saj, ka edhe disa fakte të theshta që lidhen me historinë e këtij mozaiku.. 

Së pari dy yjet me pesë cepa dhe libri në duart e punëtorit, nuk janë fshirë sot nga ky mozaik. Ylli, madje dhe libri i kuq, janë hequr që në vitin 1993, pasi në atë kohë pas ardhjes së demokracisë, vepra rrezikohej që të shembej njësoj si monumenti i Enver Hoxhës që qëndronte përbri saj. Emisioni “Artkand”, në Top Channel kishte ftuar dy nga bashkëautorët që janë marrë me mozaikun (Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini). 

Kur “ra” ylli?

Njëri prej tyre, Agim Nebiu, ka treguar rrezikun që iu kanos kësaj vepre në vitin ‘92, pasi PD fitoi pushtetin. “Në momentin kur u hoqen shumë monumente, u diskutua edhe prishja e mozaikut. Ishin simbolet, libri i kuq, ylli. Po krijohej një shkëndijë për t’a shkatërruar, për të rrezikuar mozaikun. U bë një mbledhje urgjente në ministri. Na thirrën edhe unë shkova, ishte viti 1993. Fitoi ideja e retushimit, pra që të mos prishej mozaiku. Unë pranova dhe vendosa që të bëja një retushim. Hoqa librin dhe vura një xhaketë. E po ashtu yllin e kuq dhe atë tjetrin mbi flamur që u hoq edhe me kushtetutë. Mbasi mbarova u pëlqye dhe u duartroktik nga Parlamenti shqiptar,”- tregoi ai. 

Pra, Libri dhe dy yjet e kuq që nuk shihen më nuk janë hequr tani, por plot tre dekada më parë. Në këtë pikë nuk ka më diskutim. Por këtu pyetja mbetet: nëse BE financoi një restaurim, a duhej restauruar origjinali i Realizmit Socialist i vitit 1981, apo versioni sërish ideologjik i retushuar në 1993? më tepër se çështje politike ky është një debat kulturor për mënyrën se si duhet të sillemi ndaj veprave të artit.

©Lapsi.al

Share: