Home KRYESORE Bashkësia njerëzore është ngrehinë plot probleme dhe jo fort e qendrueshme?

Bashkësia njerëzore është ngrehinë plot probleme dhe jo fort e qendrueshme?

Kështjella s’mban, do sakrifikuar njera nga nuset në themele.

Nga Çapajev Gjokutaj

Agamemnoni sakrifikon të bijën, Ifigjeninë, që zotat të zbuten e të qetesojnë detet.

Zoti sakrifikon të birin që njerëzimi t’i kthehet dashurisë dhe t’u iki paudhësive.

Mos pyet, ç’bën kombi për ty, por ç’je ti në gjendje të bësh për kombin, thoshte Xhon Kenedi, presidenti i vendit, që lirinë dhe individualizmin i ka flamur.

Njerëzimi kurdoherë e ka lartësuar dhe shenjtëruar sakrificën e individit në dobi të bashkësisë, kombit, fesë etj. Është përpjekur të zbehë ngarkesën tragjike të vdekjes dhe të mbitheksojëvtonet burrërore, heroike, sublime.

Arsyet mund të jenë të shumta, por gjithsesi të forta përderisa kanë sendërtuar një tendencë që i kalon kufijtë e shekujve, vëndeve, kulturave.

Ka të ngjarë që individi prej natyre lind egoist dhe nuk tregohet aq i gatshëm të flijojë veten apo qoftë edhe të sakrifikojë për të tjerët. Ndaj është dashur glorifikimi i vetsakrifikimit nëpërmjet moralit, gojdhanës, artit, retorikës.

Por duket se glorifikimi i sakrificës nuk ka qenë vetëm mjet pushteti, nuk buronte vetëm prej parisë, klerit, shtetit. Ka patur dhe një shtytje të fuqishme nga psikologjia e individit.

I mbytur nga dhimbja e humbjes së të afërmit, apo nga gjymtimi i vetes, edhe individi e ka patur të nevojshme të ngushëllohej: nuk u vra kot, nuk u gjymtova për hiçmosgjë, sakrifica është e shenjtë.

Dhe kështu në breza të gjitha palët kanë kërkuar shenjtërimin e sakrificës, ca për të përfituar, ca për t’u ngushëlluar dhe ca të tjerë se e kuptonin që bashkësia njerëzore është ngrehinë plot probleme dhe jo fort e qendrueshme.

( Nga cikli ‘Grunari i leximeve’ )

Share: