Nga Artur Beu
Në vijim të diskutimit për inteligjencën artificiale (IA), po konstatoj se dhënia e përgjigjeve të menjëhershme nga ana e IA-së të bën, ose më mirë, më bën të kërkoj e të gjej se ku gabon IA-ja dhe konstatoj se ajo gabon shpesh. Jam dakord që gabimi nuk është i IA-së, por i informacioneve që ajo ka mbledhur nga ata njerëz që i kanë ofruar më parë.
Natyrisht që më bën të mendoj nga ana tjetër se unë vetë po kontribuoj në dhënien e informacioneve të mëtejshme, sepse ajo, IA-ja i merr ato nga cfarë ne shkruajmë dhe nga ana tjetër më bën të mendoj se edhe këtë shkrim përsëri IA-ja do ta përmbledhë e ta filtrojë e ta përvetësojë nëse është me ndonjë vlerë të shtuar.
Nëse jo, besoj se ka një kosh ku hidhen postimet e kota, ose shpresoj të ketë një të tillë që të mos mbushen memoriet me budallallëqe. Nejse…
Çfarë më bën përshtypje do thoni ju për IA-në?
Po ja, më bën përshtypje koha që aplikon ajo në dhënien e përgjigjeve. Kohë reale. Fantastike thuhet. Ekzaktësisht përpiqet të mundë atë për të cilën ne njerëzit lodhemi të kapim gjatë gjithë kohës që jemi nën procesin e edukimit.
Mësojmë gjëra të ditura dhe testohemi nëse i kemi mësuar. Kur testojmë nëse një njohuri është përvetësuar apo jo, në fakt jemi mësuar të kontrollojmë se sa shpejt i japim përgjigje pyetjeve që na parashtrohen. Çdo testim në fakt është më shumë kundrejt kohës e se sa kundrejt dijes së vërtetë. Nuk është një projekt për të cilin ke kohën e përshtatshme dhe i jep përgjigje kur ke studiuar, analizuar e përzgjedhur mirë përgjigjen.
Testojmë gjithnjë përgjigjen e dhënë në kohën e kërkuar nga mësuesi apo profesori. Po kush e përcakton kohën e duhur? Sistemi? Institucioni? Kush??? Njerëzit prapë. Ne e përcaktojmë bazuar në përvojë. Po sikur përvoja të jetë e gabuar? Rritemi me bindjen se të gjithë janë të ndryshëm në reagim.
Secili ka reagimin e tij ndaj një problematike. Krijojmë kështu steriotipe. I zgjuar njëri e më pak i zgjuar tjetri bazuar në reagimet e personit. Kush më shpejt e kush më ngadalë. Vlerësohet ai më i shpejti për një përgjigje me faktor X. Në fakt përgjigjen e X-it ne e dijmë paraprakisht.
Dikush i ka dhënë përgjigje dhe s’ka rëndësi se kur ja ka dhënë e sa kohë i është dashur ta gjejë. Gjenitë sikurse i klasifikojmë, janë shumë të aftë në gjetjen e përgjigjeve të X-ve që nuk dijmë, por asnjëherë nuk janë vënë nën presionin e gjetjes së X-it në kohën më minimale. Mbeten gjeni sepse e kanë gjetur X-in.
Por, kjo është tjetër histori dhe mendoj ta trajtoj më vonë thjesht desha ta cek për debat rreth kohës së dhënies së përgjigjes. Pra, për mua duhet të ndryshojmë metodën e kontrollit të dijes. Nuk duhet matur koha, por kapaciteti imagjinar i njeriut. Si i jep zgjidhje një problematike. E zgjidh vetë apo e kopjon diku. Thjesht e memorizon dhe e riprodhon, apo e prodhon të re të pa shpikur ende.
Të kthehemi tek IA-ja. Mendoja se inteligjenca artificiale do na jepte përgjigje që ne nuk i dijmë.
Pra të X-ve të reja. Pra, të japë zgjidhje për probleme që askush nuk i ka zgjidhur e jo përgjigje që dikush i ka shkruar e menduar.
Deri tani asgjë. Po aty. X-i
Have a nice day!