Kryeminsitri Albin Kurti është takuar në Vatikan me Papa Françeskun.
Kurti është parë duke shtrënguar duart me Papën, ndërkohë që dyshja po ashtu ishin ulur për të biseduar, sipas fotografive të shpërndara.
Kurti, i cili ishte shoqëruar nga ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, u takua me Papa Françeskun dhe Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parol, në Selinë e Shenjë në Vatikan.
Tutje gjatë takimit, kryeministri Albin Kurti i tha Papës se Republika e Kosovës është e përcaktuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim.
Sipas komunikatës nga zyra e kryeministrit, duket se Kurti dhe Papa kanë biseduar për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, para se i pari i qeverisë të nisej për në Bruksel, ku pritet të takohet me Aleksandër Vuçiqin.
Kjo ishte vizita e parë zyrtare e kryeministrit Kurti në Vatikan dhe takimi i parë i tij me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun.
Vatikani ende nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Kurti i mburret Papës se u bë i pari që ndau shtesa për nënat lehona dhe fëmijët
Kryeministri Kurti më tej e njoftoi Atin e Shenjtë edhe për suksesin demokratik dhe ekonomik të vendit, dhe për arritjet e qeverisjes së deritanishme.
Kurti theksoi faktin që jemi qeveria e parë që po ndanë shtesa për nënat lehona dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeç, si politikë mbështetëse për ta, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Dyshja u pajtuan se duhet që përherë të jemi pranë e me popullin i cili ka nevojë për dashuri dhe drejtësi.
Kurti i bën ftesë Papa Françeskut që ta vizitojë Kosovën
Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Vatikan u prit nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Në këtë takim të përzemërt, në mëngjesin e ditës më të gjatë të vitit, siç veçoi kryeministri në takim, ai u shpreh falënderues dhe shumë i lumtur për mikpritjen kaq dashamirëse.
Me Papa Françeskun, biseduan për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë, njoftoi zyra e kryeminsitrisë.
Për besimin e tij, kryeministri Kurti tha se politika është shërbim, teksa e ftoi Shenjtërinë e tij, Papa Françeskun që ta vizitojë Kosovën, pas rikuperimit të shpejt dhe të mirë nga operacioni kirurgjik që kishte së fundmi.
/21Media