Kryetarja e komisionit Klotilda Bushka tha në mbledhjen, ku po raportonte kryetarja e Autoritetit Gentiana Sula, se “kërkesa do të bëhet nga ne si komision, por në mënyrë racionale dhe proporcionale, që të mos mbingarkojmë punën e institucionit”.
Bushka tha se për këtë arsye kërkesat do të ndaheshin me grupe, nuk do të dërgoheshin të gjithë në të njëjtën kohë, pasi sipas saj, -“të kërkosh hetim për 1300 emra është utopike”.
Më herët këtë vit dy deputetë të opozitës, Kreshnik Çollaku dhe Ervin Salianji, kërkuan verifikimin e të gjithë deputetëve të Kuvendit për periudhën post-komuniste që nga vitit 1991 e deri më sot, por kërkesa, sipas Sulës, -“ishte e paplotë dhe joproporcionale” .
Çollaku tha në fund të janarit se i kishte kërkuar AIDSSH-së, – “vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumenteve dhe informacioneve që dispononi lidhur me të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që kanë qenë të zgjedhur në legjislaturat parlamentare për periudhën 1991 – 2023”
Sipas Sulës, në kërkesë mungonin gjeneralitetet për subjektet që kërkohej verifikim.
Debati për lidhjet e politikanëve me Ish-Sigurimin u rihap vitin që shkoi kur Autoriteti Shqiptar për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSSH) informoi parlamentin se kishte identifikuar disa politikanë, përfshirë një personazh të profilit të lartë me inicialet I.M., të cilit i ishte dhënë më parë një certifikatë “pastërtie”, por në fakt kishte qenë bashkëpunëtor.
Politikani që akuzohej ishte ish-presidenti Ilir Meta, i cili ësht ënë një betejë ligjore me Autoritetin e Dosjeve për këtë çështje.
Kuvendi ndërmori në fillim të vitit ndryshime ligjore për t’i dhënë mundësinë Autoritetit që të rihapte dosjet e vjetra të komisioneve të ashtuqujtur “Mezini” e “Bezhani”, për të riverifikuar emrat e politikanëve që kishin marrë vërtetim se nuk kishin lidhje me Ish-Sigurimin.
Sula u pyet nga deputetja Dhurata Çupi konkretisht për rastin, nëse kishte tashmë një raport që i jepte përgjigje përfundimtare aludimeve për çështjen “Meta”.
Kryetarja e AIDSSH-së tha se kishte sjellë me vete një raport të plotë për verifikimet e bëra nga komisionet e fillim-viteve ’90, por ky raport ishte klasifikuar si sekret shtetëror për shkak të korespondencës shkresore me Shërbimin Informativ Shtetëror.
“Nga verifikimet që ne kemi bërë, disa kandidatë që figurojnë në dokumentet e Sigurimit, rreth 3% e tyre, janë ‘pastruar’ nga komisionet Mezini-Bezhani”- iu referua këtij raporti, Sula. Sipas saj, gjatë verifikimit të punës së këtyre komisioneve të mëparshme ishte hasur dhe një problematikë me dokumentet që mungojnë në fondin e institucionit, për të cilat nuk ka dokumentim të asgjesimit të tyre.
“Ata që kanë çertifikatë sigurie mund ta aksesojnë”- u tha ajo deputetëve.
Deputetët po ashtu kërkuan të dinin rezultate të prekshme përsa i përket punës së strukturës së re që u ngrit për identifikimin dhe gjetjen e të zhdukurve gjatë komunizmit, si një kërkesë e progres-raportit të Komisionit Europian.
Sula risolli në vëmendje ngërçin e bashkëpunimit me institucione të tjera, si prokuroria, për të ndërmarrë hapa konkretë për zhvarrimet dhe vuri në dijeni Kuvendin se ecuria e procesit varej nga aktet nënligjore që qeveria nuk i kishte miratuar akoma.(BIRN)
360grade.al