Home KRYESORE Ky “turi i falenderimit” ( që më sjell ndërmend festën amerikane me...

Ky “turi i falenderimit” ( që më sjell ndërmend festën amerikane me të njejtin emër, ku theret dhe piqet një gjeldeti ) më ngjan me kthimin tek vendi i krimit.

Nga Armir Shkurti

Ky “thanksgiving” s’është as më pak e as më shumë sesa një “marcia su Roma”. Edi Rama po bën demonstrimin e pushtetit të tij tashmë absolut në çdo qytet të vendit. Aq arrogant është ky pushtet saqë urdhëri për vartësit e tij nëpër bashki është… “kini mëshirë për popullin”!

As më pak e aq më shumë sesa kaq! “Ti respektojmë”- thotë. “Nëmos t’ua zgjidhim hallin, t’ua qajmë”. Dhe më e rëndësishmja: NJERZILLËK

Në 10 vitet e pushtetit të Ramës cinizmi dhe arroganca zëvendësuan çdo nuancë njerëzillëku që qe sajuar deri ato kohë dhe i trajtoi shqiptarët si popull primitiv që duhet ndrequr me dajak. Burg për faturat e dritave, burg për dritaren pa leje…. burgburgburg për “kët derr mileti që merr vesh veç me dru”. Për të kulmuar ky cinizëm me kalimin e hallit online.

Me e-Albanian edhe në dashtë njeri të ta qajë hallin, as të njeh, as e njeh ti dhe as ia sheh lotët. Kontakti i njeriut me njeriut, i hallexhiut me vajtojcën e hallit, i qytetarit me shtetin ËSHTË ZHDUKUR. Tani hallexhiu, qytetari, njeriu flet me celularin. Shkruan hallin aty. Diku në një ekran kompiuteri ndodhet qarësi i hallit, nëpunësi, shteti.

Pra ky njeri që kontaktin me njeriu e vendos çdo 2 vjet, kur vjen e u puth dorën e gjithçka tjetër për tu marrë votën e për të demonstruar pushtetin autokratik, totalitarist dhe rritur kultin e individit.

Dekori dhe fabula e “përunjësisë” dhe “mirënjohjes” – e theksoj!- janë thjesht maskimi i një parade prepotente të një pushteti cinik, totalitarist dhe arrogant. Një udhëheqës që mbledh turma të mëdha e të nënshtruara që thërrasin “Edi Rama!Edi Rama” si vullnetarët e Enverit dikur që gërthisnim “Enver Hoxha! Enver Hoxha!”

Këtyre turmave udhëheqësi i gjithëpushtetshëm u shfaq dashurinë me “falemnderit” e po ashtu shfaq mëshirë dhe falje për kundërshtarin që nuk e ka votuar. Respek – thotë – edhe për ata. Si një Cezar që, pas një fitore të madhe, u fal jetën robërve.

Këtyre robve që u ka marrë fëmijët e ua ka çuar në kurbet, u ka marrë prona e pasuri me qeverisjen e tij dhe i ka kthyer në hallexhinj e nevojtarë, që u ka hequr madje edhe mundësinë për të marrë të drejtën në gjykatat e mbyllura me reformë në gjithë vendin… u ofron qarje halli dhe njetzillëk nga bashkitë! A nuk është ky kthim në vendin e krimit dhe gjithashtu demonstrim arrogant i gjithëpushtetit personal?

Share: