Home Gjeo-Ekonomia Mjeku i njohur i tregon kryeministrit diferencat midis spitaleve shqiptare dhe franceze.

Mjeku i njohur i tregon kryeministrit diferencat midis spitaleve shqiptare dhe franceze.

KU NDRYSHON QSUT PREJ PARISIT?

Nga Erion Dasho

Sot pashë një video të shpifur: Boratin me boratët që vizitonin spitalin e ri të urgjencës dhe që në çdo pesë minuta mundoheshin ta krahasonin këtë spital me spitalet europianë.

“Çfarë ka ky spital më pak se spitalet franceze?”, ishte pyetja e Boratit dhe përgjigja e dhënë nga ai vetë, nën miratimet servile të enturazhit ishte “Asgjë nuk ka! Është njëlloj si spitalet e Parisit”.

Meqenëse asnjë nga boratët dhe puthadorët nuk mori guximin, po i rreshtoj Boratit vetëm ato ndryshimet thelbësore që vijnë ndër mend vetiu, pa u thelluar në ndonjë analizë shkencore:

  1. Në spitalet e Parisit nuk mbarojnë ilaçet.
  2. Në spitalet e Parisit, mjekët dhe infermierët nuk marrin rryshfet.
  3. Në spitalet e Parisit, mjekët nuk shkruajnë në kartela prej letre.
  4. Në spitalet e Parisit, mjekët kanë protokolle dhe udhëzues të praktikës klinike.
  5. Në spitalet e Parisit, profesorët bëjnë punë kërkimore dhe orientojnë mendimin shkencor ndërkombëtar.
  6. Në spitalet e Parisit, drejtorët, shefat dhe drejtuesit e tjerë nuk emërohen nga politika.
  7. Në spitalet e Parisit, nuk kanë drejtuar ndonjëherë klarinetistët.

Dhe e fundit, në spitalet e Parisit, Makroni nuk guxon të bëjë një orë show me mjekët dhe infermierët. Këta të fundit i kthejnë shpinën politikanëve sepse janë zot në spitalin e tyre dhe jo servilë të politikës.

SPITALET NË EUROPË NUK JANË MURE DHE TULLA, POR JANË SË PARI BURIM KUJDESI, SHKENCË MJEKSORE, MËSIMDHËNIE, KËRKIM, HUMANIZËM, PËRKUSHTIM, HISTORI, TRADITË…

Prandaj, Borat, mirë bën që u hedh ndonjë kockë propagande votuesve të tu trushplarë, por mos shko kaq larg!

Para se t’ja kalosh Parisit, bëhu njëherë si Beogradi dhe Zagrebi, për të mos thënë si Prishtina dhe Podgorica…

Share: