Nga Çapajev Gjokutaj
Mbrëmë, në të perënduar, ndërsa po ngisja makinën për te liqeni i Farkës, radioja nisi të këndonte ‘Parla piu piano’. Me një lloj trishtimi, të lehtë e të largët, po ndiqja melodinë e njohur, për t’iu kthyer të ndergjeshmes kur Kaufmann përfundoi: E un grande amore, mai piu grande esisterá.
Është zakon i lashtë poetësh, mendova, të hiperbolizojnë e të absolutizojnë, të thonë pa u mëdyshur: dashuri më e madhe se kjo jona s’ka për të patur. Konvencionet e gjuhës poetike, shoqëruar me melodinë magjepsëse, bëhen bashkë dhe na shtyjnë të marrim si të mirëqëna stërzmadhime të tilla.
Por mund të mos jetë thjesht punë konvencionesh poetike, vazhdova arsyetimin, mundet që poeti e këngëtari po përpiqen të flasin me gjuhën e një rishtari në dashuri, një Orfeu që shpirtërisht ndihet brenda Euridikës dhe çasti i ngjan përjetësi, kurse vetja zot mbi zota.
Në fakt nuk ngjan të jetë as huq poetësh e as qorollepsje rishtarësh. Të gjithë të dashuruarit, djem a vajza, gra a burra, në një farë mënyre e dinë se dashuria është e përkohëshme, i ngjan një rrjedhe që me kalimin e kohës shterr. Përsëritësit e dinë nga përvoja, e kanë pësuar në lëkurën e tyre, rishtarët e kanë parë në filma dhe e kanë përjetuar në libra.
Kështu që të tërë e dinë se dashuria, në mos mbaron shndërrohet në diçka tjetër: herë kthet në ftoheje e indiferencë, herë në grindje e urrejtje, jo rrallë në konformizëm e bashkëjetesë të stërzgjatur që, për ta bërë më të përtypshme, zgjedhim ta quajmë mirëkuptim, miqësi etj.
Por këtu ka diçka që s’e shpjegon dot dhe aq lehtë: megjithëse të tërë ia dinë vazhdimin a fundin, asnjeri nuk e sjell ndër mend në çastet e fillimit.
Disa thonë se e gjithë kjo është punë modelesh kulturore. Poezitë e romanet, filmat, këngët e pikturat na mbushin mëndjen se dashuria është harmoni e shkrirje, na shtyjnë të idealizojmë çastin, gjënë e sidomos partneren a partnerin. Mos e nënvleftësoni fuqinë çudibërëse të artit, tha i dituri dhe për të na bindur përmendi Donkishotin😅
Por ka të tjerë që thonë se prirja e të dashuruarve për të idealizuar atë që po u ndodh, më shumë se punë arti e kulture është punë biologjie e neurokimie. Është provuar në laborator se gjatë kohës që jemi të dashuruar truri prodhon më shumë se zakonisht dopaminë, oksitocinë, serotoninë dhe substanca të tjera neurokimike që nxisin emocionin e euforinë dhe shtyjnë në prapaskenë mëndjen esëll e gjykimin.
Ka që shkojnë edhe më thellë e thonë se e gjithë kjo neurokimi është vepër e evolucionit. Mbijetesa e species presupozon rritjen e pasardhësve, ndaj lidhja në çift duhej të perceptohej e bukur dhe sidomos jetëgjatë. Ata që i besuan iluzionit siguruan pasardhës dhe përjetësuan genet e tyre. Skeptikët dhe ithtarët e logjikës ikën e vanë pa pasardhës😥
Lënë mënjanë hamëndjet dhe humorin, njeriu e ka të nevojshme të ketë iluzione e t’u besojë atyre. Për të arritur këtë i ka ardhur në ndihmë edhe kultura edhe biologjia, se njeriu e do të vertetën dhe s’bën dot pa të, por po kaq të nevojshme e paska të besojë hera herës edhe të rremën e të fluturojë me krahët e iluzionit.
Pa mbaruar mirë arsyetimin, m’u shfaq para syve liqeni, paksa i errësuar nga afrimi i muzgut. Vate dielli më të ryrë, thoshnin pleqtë dikur dhe vështirë ta kuptoje: flisnin për afrimin e fundit apo ua kishte ënda ta përfytyronin veten si diell, paçka se në të fikur🤪😍
( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )