Home KRYESORE Shiu nuk pengon pushuesit, shijojnë plazhin në mot të freskët në Durrës

Shiu nuk pengon pushuesit, shijojnë plazhin në mot të freskët në Durrës

Pavarësisht motit të paqëndrueshëm, plazhet e Durrësit janë frekuentuar këtë fundjavë nga pushues të shumtë vendas, të huaj dhe nga diaspora.

I nxehti përvëlues i ditëve të fundit është tërhequr këtë të shtunë, duke sjellë një rënie të lehtë të temperaturave dhe vranësira të alternuara me reshje të pakta shiu në gjirin e Durrësit.

Megjithatë, pushuesit që po kalojnë këtë fundjavë në Durrës, shprehen se po shijojnë motin e freskët dhe detin e qetë.

“Më qetë, është më mirë, po dielli ama na pëlqen”.

“Plazhi në qershor është shumë mirë meqenëse është pak e vonuar vera sivjet…. Do të rri nja 10 ditë, vij nga diaspora. Po më duket i rregulluar. Qetësi dhe pastërti”.

“Shumë mirë. Edhe më mirë për shëndetin. Jo shumë vapë. Më duket sivjet më pastër dhe shëtitoren e kanë bërë shumë mirë. Vij nga Istogu”.

“Jemi nga Polonia. Po e shijojmë. Është kohë e bukur edhe kështu. Është nxehtë për ne dhe po kënaqemi, veçanërisht djali. Gjithçka mirë. Do qëndrojmë 7 ditë”.

“Jam nga Hungaria. Është hera e parë këtu dhe më pëlqen”.

Pushuesit i kanë shfrytëzuar këto kushte atmosferike për aktivitete të ndryshme në bregdet, përfshirë dhe sportet e ujit, ndërsa mungesa e nyjeve hidro-sanitare mbetet shqetësim edhe këtë sezon për ta.

“Shiko 3 km plazh i gjatë, asnjë tualet. Ku urinojnë pushuesit?! Në ujë?! S’ka diskutim. Gjithë ky plazh.asnjë tualet nuk është. Kurrgjë tjetër s’kam vërejtje”.

Top Channel

Share: