Nga Kreshnik Spahiu
“Shqipëria turistike” nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e kombit tonë.
Atë që vendet e mesdheut kanë më shumë se një shekull e investojnë, për ne shqiptarët është një zhvillim i ri.
Kurrë më parë nuk kemi pasur një “Shqipëri turistike”:
- as në mbretëri,
- as në komunizëm,
- as në demokraci.
Sot Shqipëria mes 1000 halleve dhe problemeve është “parajsa mesdhetare” e pa eksploruar nga bota.
Dikur ishin aq të pakët turistët në Shqipëri sa kur kalonin në rrugë mbetej në hundët tona disa ditë era e parfumit dhe sapunit që përdornin ata “jashtokësor” që kalonin në Bulevardin e Tiranës.
Ne fëmijët e asaj periudhe themi ende sot: sapun “turistësh”.
Bota na ka parë gjithmonë si “ishulli i Tarzanit”.
Në ishull nuk hynin dot se kishin frikë ose nuk lejoheshin dhe në imazh banorët e Shqipërisë perceptoheshin si “Tarzanë”, njerëz të izoluar dhe jashtë realitetit.
Pamjet e viti 1997 ku i madh dhe i vogël mbante në duar një kallashnikov na fundosën dhe friksuan çdo kënd që mund të udhëtonte dhe pushonte si turistë si pasojë e skenave afgane në një toke europiane.
Fatmirësisht sot Shqipëria është si ajo parajsa e filmit të Leonardo Di Caprit një mrekulli në planet por e rrezikuar nga shumë “peshkaqenë” dhe “pushtues”.
Sot turizmi shqiptarë ndjehet i kërcënuar nga shumë faktorë që suksesin ta humbasim nëse nuk parandalojmë disa fenomene: - “Shqipëria turistike” sot preferohet për çmimet e lira dhe ende konkuruese krahasuar me shtetet fqinjë Kroaci, Greqi, Itali dhe nëse nuk frenojmë babzinë e fitimit psh: Një shezlon 300 euro do largojmë çdo adhurues të plazheve tona.
- “Shqipëria turistike” është e kërcënuar nga pushtuesit e “tokës xanun”, që po sharrojnë çdo pemë dhe betonojnë brenda në rërë duke humbur shumë shpejt “mitin” bregdetit tonë për “plazhet të virgjëra”.
- “Shqipëria turistike”, duhet parandalojë urgjent rracizmin apo trurizmin selektiv duke preferuar rusë apo gjerman dhe duke larguar “kosovarë” apo “fshatarë shqiptarë”. Ne jemi shtet i destinuar për plazhe popullore dhe jo elitare.
- “Shqipëria turistike” është e kërcënuar nëse orjentohet drejt luksit. Nëse ndërtojmë vetëm hotele me 5 yje dhe jo agri-turizëm. Turistët e huaj nuk kërkojnë luksin në Shqipëri sepse atë e gjejnë 100 herë më lartë si standard në Spanje, France, Portugali, Kroaci, Turqi. Nëse ne do kopjojmë këto modele do e humbasim dyndjen turistike. Ne duhet ruajmë turistët e shtresës mesme që janë shumica apo 80% e numrit të përgjithshëm në botë që nuk kanë para të shkojnë në Hotele me 10.000 euro java.
- “Shqipëria turistike” duhet të zhvillojë dhe zgjerojë gastronominë dhe kuzhinën në disa parametra internacional dhe jo vetëm orjentimin 90% restorante italiane. Turistët e huaj nuk shkojnë në Shqipëri që të hanë cdo ditë kuzhinë italiane për tre arsye: 1- Nuk kanë ardhur në Itali por në Shqipëri. 2- Kuzhina italiane është më e shtrenjtë se shqiptare, turke, spanjolle, kineze, ballkanike, 3- “Spageti me fruta detin” 10 dite rresht nuk hahet, prandaj duhet diversitet restorantesh internacionale dhe kombëtare.
- “Shqipëria turistike” është e rrezikuar të fundoset nga mungesa fuqisë puntore. Në asnjë fshat nuk mund hapesh një resort gjigand me 100 kuzhinjerë dhe 1500 kamarierë sepse nuk mund ti gjesh, prandaj duhet urgjentisht një strategji për hapjen e dyerve për emigrante nga Indonezia, Filipinet, Tajlanda, Afrika etj të cilët pranojnë të punojnë me pagat tona. Teoritë që ne duhet “të ndalim emigracionin” nuk funksionojnë sepse e kane provuar Kroacia, Mali i Zi, Turqia, Serbia, Italia dhe kane deshtuar para nesh. Edhe sikur ta frenojme emigracionin shqiptar sërish tregu ynë i punës nuk e perballon dot nje fluks prej 20 milionë turistë qe mund të vinë pas 3-4 vitesh.
- “Shqipëria turistike” mund të dështojë nga kapacitetet e kufizuara. Në portet e Shqiperisë nuk mund te vij në anije kroçere me 2000 pasagjerë sepse ne nuk kemi një Hotel me 2000 shtretër ku të fusim të gjithë pasagjerët e anijes. Imagjinoni të vinë disa tragete.
- “Shqipëria turistike” mund të goditet nga turbulencat e kursit të valutës. Një turist europian që shpenzonte para një viti 5000 euro në Vlorë, këtë vit duhet të këmbej 5800 euro që të ketë të njëjtën sasi lekësh.
- “Shqipëria turistike” është e kërcënuar nga tregtarët matrapaz të çmimeve selektive sipas kombësive të klientve ku psh: 1 kg qershi, shqiptarve ja shesin 3 euro, kosovarve 5 euro, polakve 6 euro, rusëve 7 euro, gjermanve 10 euro.
- “Shqipëria turistike” kërcënohet nga të pronarët e paedukuar që as fjalët “mirëdita” apo “të lutem” nuk e njohin në fjalorin e ture karshi kilentëve apo nga halabakët dhe rrugaçët që zihen dhe rrihen me bishta çadre pse afrove pak shezlonin afër çadrës sonë apo pse parkove anazh Range Roverit tim.
- “Shqipëria turistike” kërcënohet nga ata që vendosin 5 yje në derën e Hotelit por nuk kanë lexuar 5 revista për turizmin apo nuk kanë bërë as 5 ditë trajnime për hoteleri.
- “Shqipëria turistike” kërcënohet nga injoranca e pronarve që nuk e kuptojnë se 50% e klientve kane vizituar gjysmën e botës dhe e njohin turizmin, hotelerinë apo kuzhinen më mirë se pronarët e hoteleve apo restoranteve tona, por edhe nga mentaliteti (KÇK) “Kap ça të kapësh”, ku turisti nuk është “Zoti shtepie” por shikohet si kalimtar që s’do kthehet më.
- “Shqipëria turistike” mund të shfryhet nëse qeveria nuk vendos një studim për investimin në infrastrukturë si prioriteti mbi prioritetet duke dhjetëfishuar burimet. Miliona turistë nuk mund të mbajnë hundët e tyre me duar kur vjen ora e derdhjes së ujrave të zeza në det, apo nuk mund të mbyllin dritaret kur vjen ora e djegjes së plehrave te kazanët që nuk vjen kurrë komunalja ti mbledh.
Shqipëria turistike sot është krenaria jonë dhe e brezave. “Bunkeri” Europës sot po vizitohet nga gjithe miliona turistë. Tradita, mikëpritja dhe reklama ishin të sukeseshme për këtë ngjallur kureshtjen, por ende janë të mjaftueshme për ta dhjetëfishuar turizmin. Ne duhet ta ruajmë Shqipërinë turistike si ishullin e thesarit. Dhe thesari ynë nuk ruhet me “Tarzanë” por me investime, strategji dhe profesionalizëm.
Fillimi është i mbarë. Hapja e porteve dhe aeroporteve të reja është prognoza e një Shqipërie të kërkuar dhe vizituar nesër nga gjithë planeti. Ndoshta është koha për një strategji kombëtare 100 vjeçare për “Shqipërinë e re turistike”