Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, zhvilluan një takim ku fokusi mbeti situata në Ballkanin Perëndimor.
Sipas deklaratës së lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, ndër pikat kryesore të diskutimit në takimin e tyre ishte sigurimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, rajon ku bëjnë pjesë Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovina.
Njoftohet se SHBA-ja e mirëpret angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it.
Dy vendet do të përforcojnë koordinimin për të favorizuar de-përshkallëzimin, mirëpo nuk specifikohet se për cilën situatë bëhet fjalë.
Ky depërshkallëzim mund t’i referohet situatës në pjesën veriore të Kosovës, e cila ka qenë e tensionuar prej kohësh, për shkak të zgjedhjes së katër kryetarëve të komunave. Situata agravoi më shumë pas sulmit që iu bë KFOR-it, ku mbetën të lënduar 11 ushtarë italianë, si dhe 19 ushtarë hungarezë.
Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar dy muaj më parë.
Top Channel