Nga Dr. Nini Dede
“Pushteti i koncentruar gjithmonë ka qënë armik i lirisë”- Ronald Regan
Sot në vitin 2023 kur gjithnjë e më shumë nëpër botë po flitet për liritë themelore të individit, në Shqipërinë tonë post diktatoriale pseudodemokratike po ndodh e kundërta.
Duket se shtyllat tona të lirisë janë duke u shembur një e nga një si ndertime pa leje,packa se me “shpërthim” të kontrolluar ashtu sikurse ndërtesat e godinat e jetës reale të viteve të fundit ne Shqipëri.
Studentët e mjekësisë në vendin tonë sot gjenden perballë nje detyrimi ,i cili në zhargonin e përditshëm do të quhej burgim profesional përsa kohë në konceptin juridik, burgimi përkufizohet si heqje lirie.
Por lind pyetja: cila është shkelja,kundravajtja apo vepra penale e tyre? Dëshira për t’u bërë mjek? Apo dëshira për t’u kualifikuar më tej profesionalisht qoftë edhe në vende të tjera perëndimore pas përfundimit të studimeve ? Përse shteti yne diktaturëdashës nuk e sheh ikjen e studentëve në Gjermani apo vende të tjera perëndimore si të përkohshme sa për të shfrytëzuar kapacitetet ekselente të sistemit shëndetësor në Gjermani në dobi te kualifikimit të tyre?
Përgjigja është fare e thjeshtë: sepse e di që askush nuk do të kthehet më për të punuar në Shqipërinë e paradoksit Mjekësi Falas/False nga e cila vijnë të gjitha pasojat e kontratave detyruese, kushteve teknike apo profesionale amatore, të padrejtësive të “së drejtave”mjekësore të prangosura disa vite më parë me ligjin e famshëm të së ashtuquajturës “neglizhence mjekesore,etj.
Ka një pafundësi pyetjesh që cdo qytetar i vendit tonë mund t’i bëjë me të drejtë vetes dhe kujtdo lidhur me fatin e bluzave të bardha në vendin tonë ,aq më tepër kur me të lidhet në mënyrë të pashmangshme fati i shëndetit të tij në vitet e ardhshme të jetës.
C’po ndodh me sistemin shëndetësor në Shqiperi? C‘po ndodh me bluzat e bardha qofshin keto të vjetra/të reja apo në prodhim e sipër? Askush nga qytetarët , madje as edhe nga ne që e disponojmë një të tillë , nuk dimë të japim një përgjigje, por… të pafuqishëm, kush duke shtrënguar dhëmbët apo grushtat migjeniane, e kush duke mërmëritur me lot në sy ,shohim në heshtje spektaklin e shëmbjes së njërës prej shtyllave më të bukura të lirisë:
ËNDRËN PER T’U BERE MJEK !