Përgatiti Albert Vataj
Do të doja të ishe grua. Do të doja që ti të provoje një ditë atë që po provoj unë: nuk jam aspak dakord me nënën time që thotë se të lindësh grua është një fatkeqësi. Nëna ime, kur ishte e hidhëruar, pëshpëriste: Ah sikur të kisha lindur burrë!
E di: është një botë e fabrikuar për burrat, diktatura e tyre është kaq antike që shkon deri te mënyra e shprehjes. Thuhet burrë, për të thënë burrë e grua, thuhet fëmijë, për të thënë djalë o vajzë, thuhet bir, për të thënë bir o bijë, thuhet vrasës, për të treguar një burrë o një grua.
Në legjendat që meshkujt kanë krijuar për të shpjeguar jetën, krijesa e parë nuk është një grua, por një burrë i quajtur Adam. Eva vjen më pas për ta argëtuar e për të krijuar telashe. Në pikturat që zbukurojnë kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër: kurrë një plakushe me flokë të bardhë.
E të gjithë heronjtë e tyre janë meshkuj: nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin, tek Ikari që tentoi të fluturonte e deri tek Jezusi, që e shpallin si biri i Shpirtit të Shenjtë – pothuajse sikur gruaja nga e cila lindi të ishte një inkubatriçe apo një dado.
E megjithatë, pikërisht për këtë të jesh grua është kaq tërheqëse. Është një aventurë që kërkon kaq kurajo, një sfidë që nuk të mërzit kurrë. Do të kishe kaq gjëra për të bërë po të lindje grua.
E për ta nisur do të të duhej të luftoje për të bindur se Zoti, po të ekzistonte, mund të ishte dhe një plakë me flokë të bardhë apo një vajzë e bukur. Më pas do të të duhej të shpjegoje se mëkati nuk lindi në ditën kur Eva këputi mollën: në këtë ditë lindi një virtyt i mrekullueshëm i quajtur mosbindja.
Në fund do të të duhet të luftosh për të demonstruar se brenda trupit tënd të lëmuar e me forma, ndodhet një inteligjencë që ulëret për t’u dëgjuar.
Të jesh nënë nuk është një zanat. Nuk është as një detyrë. Është vetëm një e drejtë midis shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke ulëritur. E shpesh, pothuajse gjithmonë do të humbësh. Por nuk duhet të dekurajohesh.
Të luftosh është shumë më bukur se sa të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se sa të mbërrish: kur ke arritur o ke fituar, të kesh është një boshllëk i madh. E për të kapërcyer këtë boshllëk duhet të rifillosh udhëtimin, të krijosh zbulime të reja.
Po shpresoj që ti të jesh një grua, pavarësisht se unë të quaj bir. E shpresoj që ti të mos thuash kurrë atë që thotë nëna ime. Unë nuk e kam thënë kurrë…”