Home KRYESORE Paria është kompakte, të gjithë e njohin mirë njëri tjetrin por juve...

Paria është kompakte, të gjithë e njohin mirë njëri tjetrin por juve jua shesin sapunin për djathë.

Nga Grid Rroi

Para ca ditësh u transmetua një intervistë e pazakontë e Mero Bazes me Ylli Rakipin në MCN TV. Aty u thanë gjëra që ne i kemi shprehur shumë më në thellësi dhe shumë kohë më parë. Paria i ka ditur, na ka lexuar por na ka injoruar me vetëdije sepse na shihnin si rrezik të mundshëm.

Meroja ka pasur dhe ka gjithmonë shumë informacion për shkak të afërsisë me të gjitha palët e Parisë(pa droje mund të thuhet se është pjesë e saj), dhe udhëtimeve të shpeshta nëpër Shqipëri. Gjithaq, ka edhe shumë influencë në media për arsye të ndryshme.

Mirëpo nuk e kisha dëgjuar kurrë të shprehej aq hapur publikisht mbi muhabete të brendshme. Ndër shumë banalitete që i ngjasonin muhabeteve të kafes midis dy miqve (siç janë Meroja me Rakipin) kishte disa të vërteta të mëdha, ca troç e ca të maskuara nën anekdota pikante të ndërveprimit të Meros me palët. Më poshtë çka tha Meroja për herë të parë:

1) Paria është kompakte, të gjithë e njohin mirë njëri tjetrin por juve jua shesin sapunin për djathë.

2) Sistemi kinse demokratik është një rrenë e madhe. Partitë janë fiktive, votimet janë fiktive, mediat janë zgjatime të palëve. Vendosin vendimmarrësit dhe jo votat. Partitë janë klanore dhe jo ideologjike. Ideja e vetme është parja.

3) Paria nuk punon për shqiptarët (shtetin) por për vete (pushtetin).

4) Nuk ka biznesmenë në Shqipëri. Kush ka bërë “biznis” e ka bërë me politikën. Politika është biznesi më fitimprurës. Të therët janë rrjedhimorë të politikës.

5) Saliu nuk i preku familjet e bllokut, Fatosi dhe Edi nuk e prekin Saliun, Ilir Meta e ka lidhë gomarin me Saliun sepse të dy e ndjejnë veten inferior/të pavlerësuar nga ish komiteti qëndror (bijtë dhe nipërit e të cilit janë në krye sot).

Shënim-Këta të Parisë së Komitetit Qëndror (ku fijet i luante Barba Sofua me shokë)nuk e pranojnë Metën si drejtues sepse e konsiderojnë me prejardhje katundare dhe jo të sërës së vet. Me një fjalë nuk kishte familjabe tij vend aq të lartë në sistemin e vjetër. Kjo për shkak se Tirana gjatë kohës së mërhumit ishte objekt adhurimi për vulgun dhe rezidenca në Tiranë të jepte status tjetër- shpjegimi imi.

6) Ajo çka na duhet është një shtet me administratë të aftë që të shtrëngojë gjithkënd. Nuk e tha tamam që duhet shtetkomb, nuk besoj se e mbështet atë ide, por dukeqenë se s’ka zgjidhje tjetër për të pasur shtet përveç legjitimitetit kombëtar, del e nënkuptuar me hir a me pahir(shên.im).

7) Kosova i ka problemet e ngjashme por në kontekst tjetër (krejt e vërtetë). Ndasitë janë krahinore. Nuk përmendi ndasitë katund-qytet, por edhe kjo mund të ishte e nënkuptuar.

Tani midis këtyre të vërtetave të vonuara kishte ca rrena (ose bërje sikur s’dimë) të mëdha.

1) këto i kemi bërë se kaq kemi ditur…
E vërteta qëndron se ne i kemi thënë me kohë dhe Paria ka dashtë me vazhdue në rrugën e dreqit sepse ashtu janë bërë milionera. E kemi thënë me qëndrueshmëri, kurajo dhe kompetencë të plotë. Nuk kanë dashur të ndërrojnë rrugë sepse siç e tha Meroja i kanë zënë vendet e opozitës si me tapi, dhe nuk kërkojnë përballje me opozitë reale po teatër me opozitë të blerë. Ata na injorojnë, ama ne e kemi thënë. E shkruemja mbetë.

2) nuk ka folur njeri për këto fenomene. Sipas Meros ka dy tri libra të vakët…

Sfidoj çdokënd të shfletojë Përrallat e Tranzicionit Shqiptar, Shinasi A. RAMA) Paria e Rrethit të Ferrit(Grid S. RROJI), shkrimet e portalit Rrethi i Ferrit(Rama, Rroji, Karanxha-Gjoni etj.), shkrimet tona në gazeta të përditshme, Manifestin e Bleta Shqiptare, daljet mediatike sidomos më 2017 etj. e të na thotë çfarë nga këto nuk është thënë (madje shumë më tepër) dhe ku çalon profesionalisht analiza. Janë në Jutub të gjitha, mos e merrni të mirëqenë.

3) pritshmëria e Parisë është se tanimë janë zgjidhur punët dhe ekonomia po funsionon. Kemi shumë turista-tha Baze…

E vërteta flet për një hiperinflacion në ardhje, për largime masive, për ikje të atyre që kanë dije e aftësi dhe një situatë aspak të këndshme në ardhje.

Unë s’kam ku e ku influencën e Meros, por kam bindjen se sidokudo ajo çka është e shkruar do mbesë. Shqipëria është vendi i tyre (Parisë) dhe ne jemi bërë thjesht të padëshirueshëm në Atdheun tonë. E trishtueshme për mua, sigurisht. Ama të vërtetën e kemi thënë troç, me trimëri në atë kohë dhe nuk kemi pranuar asnjë salçiçe të helmatisur që na është ofruar shpeshherë. I kemi thën këto e në tepër me kohë madje. Kur kanë dashtë me na testue ju kemi thënë s’kemi çmim, punojmë për idetë tona. Për këtë jam krenar.

PS. Mero është miku im, ndonëse nuk ndajmë mendime politike të njejta, përkundrazi jemi kontinente larg. Komentet negative mbi personin do t’ju fshihen dhe ju do bllokoheni.

PSS. Për ndonjë Foltors që ende beson se po t’kesh mik një socialist (një mik të kryeministrit në këtë rast) je detyrimisht armik apo përcaktohesh si ‘i Edit’, përgjigja është “ju mëshiroj por hallin s’jua zgjidh dot”. Kam miq edhe ndër ju, edhe në PDnë e Vulës madje edhe tek PLja. Shqipëria është e vogël. Ama nuk i shes idetë e mia për asnjë çmim se fytyrën e kam të shenjtë.

Share: