Nga Armir Shkurti
Nuk gjej në letërsinë botërore një Lul Bashë të dytë! Më dallkauk, batakçi, delenxhi,nuk njoh. Iku por nuk iku. (Ah, se harrova: edhe i paburrë). Dha dorëheqjen faqe botës por jo faqe ligjit. Pasi humbi në 14 maj, u kthye …. për të shpëtuar partinë! ( hë se mënt më shpëtoi: as më të pafytyrë nuk di tjetër!).
Teknikisht AI humbi. Sepse PD hyri në zgjedhje si partia Bashës. Por aq më tepër moralisht humbi, sepse çdokush nga PD që dilte në publik ( Bardhi, Alibeaj etj ) u perceptuan si klone të Lulit. Si të mos kish ndodhur gjë, një javë pas zgjedhjeve u shfaq papritur. Si një i ftuar që në mes të drekës çohet për të dhjerë e kur kthehet nga haleja pyet të tjerët:
- E ku e lamë?
Na tha se u zbyth për të shpëtuar partinë. ( …se do më kishte kapërcyer: as më supermashtrues e mitoman pathollogjik nuk gjej të dytë!). Ca ditë mblidhte gra e fëmijë e u tregonte përralla me amerikanë, vetting politikanësh e më the e të thashë. E në fund…. na shpalli zgjedhje në parti!
Në këtë trajektore sharlatani, zgjedhjet e 29 korrikut në PD-në e Lulit janë një barcoletë më shumë…. më fal! Do të kishte pas qenë një barcoletë më shumë, sikur befas të mos hynte në garë një konkurent, në dukje dinjitoz….
Kur mësova se Gjergj Hani kandidonte e përshëndeta, duke i shprehur edhe mbështetjen time.
Pse?
Sepse një djalosh 16 vjeçar që ka dashur të çajë kufirin dhe ka bërë burg politik e ka me vete një aureolë respekti dhe dhembshurie. Zemra ma donte që ky zotëri të lëshonte ndër shqiptarë një platformë, një zgjidhje ( pse jo një ideologji?) të qeverisjes së vendit. Thjesht disa piketa lidhur me demokracinë, ekonominë e tregut dhe pozicionimin e Shqipërisë dhe mbarëshqiptarisë në gjeopolitikën e sotme. Makar një faqe A4, nga ato që ka me topa në kanceleri. Pastaj një program politik të partisë së tij. Një bosht ideologjik, platformë (ri)organizimi, strategji pune për fitoren në 2025, ndryshime statuti dhe një ekip që do ta marrë përsipër. Jo për të fituar zgjedhjen por për tu bërë dritë shokëve të partisë e për kontribut edhe më të gjerë në politikën e vendit të tij….
Pak a shumë të njejtën gjë prita edhe nga Belindi dhe kur ky tallavitej me urbanin falas, lulishtet orbitale a rivitalizimin e qerpiçit, ju kam thënë se AI NUK DËSHIRON TË FITOJË dhe AS KA QËLLIM TË FITOJË! Sepse po të kish bërë këto që ( dëshpërimisht) luta Zotin ti bënte Gjergj Hani, do tu kish ngjallur shpresën opozitarëve dhe do të kish arsye për të mbetur në politikë e për të nisur me dinjitet ATY rrugën serioze për fitoren në ’25…..
Kthehem tek zoti Hani.
Dhe ja ku më shfaqet rivali i Bashës tek Ylli Rakipi…. duke na siguruar se për vete nuk ka as një shans për të fituar, por fitorja e Bashës do të jetë vdekja e PD. (?!) Më ngjan më shumë me prokurorin që i jep plumbin pas koke një të ekzekutuari nga skuadra e pushkatimit sesa me një kandidat serioz për kryetar partie. Pastaj ai i referohet një filmi të vjetër italian dhe partinë ku militon dhe (formalisht) kërkon ta drejtojë, e quan “Armata brancaleone”. Në gjuhën politike ky term përcakton një grupim bashibozukësh, me ide lara – lara, me synim “kap ça t’kapësh”. Hani po kandidon për kryetar të bashibozukëve demokratë? Po!- na thotë ai – por jo me qëllimin për të fituar. Aq më pak me iluzionin për të fituar. Bile i sigurt fare në humbje! Për këtë na rrëfen një histori kuranore , të milingonës dhe profetit Ibrahim, por të modifikuar me një zog kolibri që shkon të çojë një pikë ujë në pyllin që digjet “për të përcaktuar kahun me të cilin është” – kështu na thotë kandidati. Mendo pak dhe nja 20 mijë kolibra të tjerë në atë parti, të kishin gjykuar si Gjergji e të kishin hedhur kandidaturën? Atëhere po që do kish kuptim “armata brancaleone”!
Në ditët pa ngjarje ky personazh i qetë u trajtua si një atraksion mediatik nga televizionet. Dikush u tundua të tallet, dikush të shfaqë empati ( ose siç i themi shqip “ti vijë gjynah) por konkluzioni i përbashkët përafërsisht qe: “Zoti e ndihmoftë këtë kalorës romantik, zemërbardhë, naiv, të vuajtur e idealist, që marshon i vendosur e vetmohues drejt fatit tragjik që e di ai vetë dhe e gjithë bota”.
Shkurt, kemi një burrë të mirë, të urtë, të kulturuar e qytetëruar, të përsekutuar dhe rebeluar që s’ka asnjë plan a projekt për të ardhmen e partisë së tij, por po lufton thjesht të tregojë kahun e tij dhe vdekjen e PD me Lulin!…
Jo gjithmonë burri i mirë bën mirë. Në kohën dhe vendin e gabuar mund të bëjë shumë më zarar edhe sesa një burrë i keq. Për shembull, megjithë vullnetin dhe angazhimin e madh, Gjergj Hani formalisht s’po bën tjetër veçse po i jep moral dhe legjitimitet farsës së rizgjedhjes së Bashës.