Home KRYESORE Presioni social që krijohet në grupet e vogla sociale dikton sjellje çmendurie...

Presioni social që krijohet në grupet e vogla sociale dikton sjellje çmendurie që s’ka asnjë përfitim afatgjatë!

Për presionin social.

Nga Artur Beu

Grupet sociale relativisht të vogla ndryshe nga ç’mund të mendohet, janë shumë komplekse pasi krijojnë brenda vetes dinamika që shpesh sjellin antagonizma mes individëve dhe i bëjnë ata që të jetojnë keq.
Grupet sociale relativisht të vogla dhe i referohem për të qenë të saktë grupeve që formojnë jo më pak se një lagje apo një fshat, krijojnë premisa për prodhimin e një presioni që shndërrohet në “helm” për vetë grupin.

“Helmi” përkufizohet apo identifikohet ekzaktësisht me presionin social që krijohet dhe jetesa shndërrohet në një hapësirë të vogël njësoj si në një burg për të bërë një krahasim dhe i referohem burgjeve me elementë të rëndë kriminalë.

Distancat janë të vogla dhe hapësirat e ngushta. Koha që ke në dispozicion për reagim shumë e shkurtër. S’të jepet kohë. Duhet të veprosh pa i menduar! Veprimi pa kohë është gjithnjë i gabuar.

Grupet sociale të këtilla krijojnë premisa për krijimin e elementëve me karakteristika negative dhe shpesh kriminale, të cilët s’do të kenë më asnjë respekt për rregullat e grupeve të tjera sociale e aq më pak të shoqërive të mëdha. Antagonizmi bëhet mënyrë jetese dhe s’ka rregulla për ndjekje rregullash të përgjithshme. Gjithçka kthehet në garë.

Nëse je më i pasur duhet të gjej mënyrën për të të mposhtur. Gjëja më e drejpërdrejtë pa humbur kohë është vjedhja, grabitja apo plaçkitja, ose edhe shkatërrimi i tjetrit.

Rastet e hakmarrjeve e apo të gjakmarrjeve i nënshtrohen këtij presioni social që kthehet në presion të pastër psikologjik.

Por, ka edhe më shumë se rasti i hakmarrje e e gjakmarrjeve. Presioni social që krijohet në grupet e vogla sociale dikton sjellje çmendurie që s’ka asnjë përfitim afatgjatë. I referohem garës që krijohet në qendra të vogla urbane për të ndërtuar apo për të patur diçka që duhet me doemos të konkurrojë tjetrin kushdo qoftë ai, fqinj apo edhe i afërm.

Ndaj edhe shohim sjellje të ndjekjes së rregullave të përkthyera në besime fetare sepse ato janë nuk duan kohë në shpjegim. Shpjegimet janë gati t’i vetëm ndiq cfarë të thuhet (por, kjo është tematikë tjetër që i përdor vetëm si shtesë argumenti). Banesa shumëkatëshe në fshatra apo toka shpesh ish bujqësore dhe të pabanuara.

Një çmenduri kolektive pa rregull e pa plan. Gara e katit më të lartë i çoi paratë e njerëzve në tulla e llaç e në banesa ku nuk jeton askush apo vetëm dy pleq që as për vete s’kanë fuqi e jo më të pastrojnë njërin kat.

Për shkak të jetës së kufizuar sociale, në grupet e vogla krijohet një helm vrastar që asgjë të mirë sjell. Në historinë e njerëzimit, kemi raste plot të luftrave, apo të grabitjeve e plaçkitjeve për të mposhtur dominancën e tjetrit dhe përfundimi ka qenë vetëm i keq.

Për fat të keq, njeriu i transpozon këto sjellje edhe në nivel më të madh shoqëror, pasi shoqëria krijohet nga grupe të vogla të vëna bashkë. Kur nuk ka kohezion shoqëria e madhe është vetëm prehë e grupeve të vogla. Lagjet krijohen nga grupe të vogla nivel familje të mëdha e grupet krijojnë geto e kështu gara sërish ringjallet.

Ka kaq shumë për të folur, por vapa ka filluar dhe s’keni më kohë për shkrimet e mia.

Kalofshi një ditë të freskët me ata që ju duan realisht! Fjala realisht duhet marrë me shumë rezerva 😂.

Share: