Nga Irena Beqiraj
Pavarësisht arsyeve të mbylljes së beftë të Ballkanit të Hapur, kthimi tek Procesi i Berlinit, padyshim është një lajm i mirë, sepse përqendron gjithë energjitë e politikbërjes të 6 vendeve ballkanase në një proces integrues gjithëpërfshirës pa u hapërdarë në procese të tjera. Integrimi në vetvete është një proces kompleks adaptiv, por fakti që ai zhvillohet në një kohë ndryshimesh të thella gjeopolitike, teknologjike dhe mjedisore, e bën edhe më të vështirë adaptimin e rajonit më të vogël ekonomikisht, i cili llogarit një PBB afërsisht të barabartë me atë të Sllovakisë ose sa 1 për qind të PBB-së së BE-së para Brexit-it.
Procesi i Berlinit padyshim që është një mundësi e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor por ai ka nevojë të rishikohet në disa drejtime.
Është fakt i gjithëpranuar tanimë që në të gjithë planet e deritanishme të ofruar nga Procesi i Berlinit, qeveritë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë pasur pronësi në proces. Thënë kjo, sado tërheqëse, elegante dhe bindëse të jenë planet integruese kur ato vijnë nga lart-poshtë ku BE vendos si duhet të jetë procesi dhe qeveritë e drejtojnë procesin me vendimmarrje në letër, rezultatet në praktike janë të pakta ose në rastin më të keq vendimarrjet janë të pa implementueshme.
Ndaj hapi i parë për fuqizimin e Procesit të Berlinit është që BE edhe qeveritë e 6 vendeve të ballkanit të pranojnë se procesi kështu siç është, me qasje nga lart-poshtë, e ka të pamundur të ofrojë një integrim efikas.
Pas më shumë se 2 dekadash përpjekje për të integruar ballkanin perëndimor, por duke ju referuar edhe eksperiencës së proceseve integruese rajonale në gjithë botën, duke filluar nga Amerika Latine e deri në Azi , nuk është e vështirë të arrihet në përfundimin që planet integruese nga lart-poshtë , janë të mbushura me pritje të mëdha, por u mungon tërheqja ndaj emocioneve dhe ndjenjave që nevojiten për të ndryshuar sjelljen njerëzore, ndaj dhe kanë rezultuar zhgënjyese. E kundërta ndodh me qasjen nga poshtë-lart.
Ato përpiqen të pasqyrojnë idetë dhe aspiratat e njerëzve edhe komuniteteve që do të integrohen. Si e tillë, qasja nga poshtë-lart mundëson krijimin e narrativave që frymëzojnë dhe fuqizojnë lëvizjet shoqërore duke mundësuar kështu një numër të madh ndryshimesh të vogla, të cilat krijonë bazamentin e nevojshëm për ndryshime sistematike.
Së dyti, procesi i Berlinit kështu siç është sot, nuk ofron mekanizmat institucionale të mjaftueshme, të cilat mund t’i përgjigjen me shkathtësi informacioneve dhe imperativave të reja. Për më tepër, duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit institucional të 6 vendeve të ballkanit perëndimor, ka një nevojë të dukshme për mekanizma shtesë institucionale, të cilat lehtësojnë punën e 6 vendeve me njëri-tjetrin, ndërtojnë konsensus lokal dhe rajonal dhe zhvillojnë aftësitë e nevojshme brenda vendeve për hartimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e procesit.
Së treti, një pengues i rëndësishëm për të pasur një proces integrimi efikas, është mungesa e infrastukturës, konektivitetit edhe ekonomisë produktive. Studimet e fundit tregojnë se Ballkani Perëndimor duhet të investojë çdo vit 12 për qind të PBB-së në mënyrë që të ndërtohet infrastuktura e nevojshme për t’u integruar. Thënë kjo , Plani Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor i ofruar nga BE është i pamjaftueshëm dhe përfaqëson thjesht një strategji “mbajtëse” por jo një hap vendimtar përpara. Vlera prej 9 miliardë euro për të gjithë gjashtë ekonomitë gjatë periudhës shtatëvjeçare është vetëm sa 1 për qind të PBB-së në vit, ndërkohë që nevojat janë për 12 për qind.
Përtej infrastukturës, një fokus të shtuar duhet të ketë në një politikë të integruar për rritjen e produktivitetit në 6 ekonomitë e vendeve ballkanike, pa të cilën edhe investimet në infrastrukturë nuk do të jepnin rezultatet e dëshiruara.
Thënë shkurt, strategjia e ndjekur deri tani nga BE vështirë se arrin të ndihmojë integrimin ekonomik rajonal, apo të nxisë progresin drejt anëtarësimit të plotë në BE duke shkaktuar zhgënjim të madh në rajon. Ndërkohë një strategji e re mund të eksplorohet edhe që mbështetet nga rezultatet që patën vendet ish-komuniste që iu bashkuan BE-së ndërmjet viteve 2004 dhe 2013. Konstatimi kryesor që vjen nga këto vende është se pranimi në BE përmirësoi ndjeshëm edhe integrimin ekonomik rajonal të tyre. Ky përmirësim erdhi si rezultat i rritjes së të ardhurave për fymë, edhe shkaku kryesor i rritjes së tyre ishin trasfertat e BE. Sipas analizave të këtij rajoni, rritja nga 1 në 2% e transfertave vjetore të BE në drejtim të këtyre vendeve rriti PBB-në e tyre mesatarisht me 14% . Kjo rritje të ardhurash rriti kërkesën dhe ofertën për produkte të rajonit duke ndikuar në rritjen e tregëtisë dhe investimeve ndër rajonale. Një përfshirje e parakoshme me akses të plotë në buxhetin e BE-së e gjashtë vendeve të ballkanit perëndimor kuptohet e shoqëruar me kushtëzimet e nevojshme, do t’u krijonte një mundësi reale 6 vendeve jo vetëm të avanconin në përpjekjet për tu integruar me njëri-tjetrin por edhe të përmbushnin më shpejt kriteret e hyrjes në BE.
Kohët që jetojmë kanë nëvojë për ciltësi edhe sinqeritet, por mbi të gjitha për të mos bërë më shumë “nga e zakonshmja“ që jemi mësuar të bëjmë. Yuval Noah Harari, në librin e tij Homo Deus thotë: “Burokracitë akumulojnë pushtet edhe bëhen imune karshi gabimeve të tyre. Në vend të ndryshojnë qasjet e tyre, me qëllim që ato t’i përshtaten realitetit, ato përpiqen të ndryshojnë përceptimet mbi realitetin duke ja përshtatur atë historive të tyre”.
Per BE e aq më shumë për burokracitë ballkanase është më e thjeshtë të ripërsërisin veten në të njëjtën zakonshmëri sesa të jenë kreative në krijimin e një paradigme të re në Ballkanin Perëndimor.
Por sot nevojitet rrugë dhe strategji të reja, në të kundërt nëse qasja, instrumentet dhe stategjia do të jenë të njëjtat si deri tani, diferencat ndërmjet historive të suksesit të servirura nga burokracitë europiane dhe ballkanase me relitetit do të jetë ekstreme.