Home Gjeo-Ekonomia Rusia pezulloi marrëveshjen, Putin: Do rinovohet vetëm nëse hiqen sanksionet

Rusia pezulloi marrëveshjen, Putin: Do rinovohet vetëm nëse hiqen sanksionet

Presidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën se Moska do ta merrte në konsideratë kthimin në marrëveshjen e grurit të Ukrainës nëse kërkesat e saj do të përmbusheshin plotësisht, teksa shtoi se marrëveshja kishte humbur çdo kuptim.

Ishte hera e parë që lideri rus komentoi që kur Moska këtë javë doli nga marrëveshja historike, e cila lejoi kalimin e sigurt të anijeve të mallrave nga portet e Detit të Zi.

“Vazhdimi i marrëveshjes së grurit ka humbur çdo kuptim. Prandaj ne kundërshtuam vazhdimin e mëtejshëm. Në vend që të ndihmonte vendet në nevojë reale, Perëndimi përdori marrëveshjen e grurit për shantazh politik dhe përveç kësaj, e bëri atë një instrument pasurimi për korporatat transnacionale, spekulatorë në tregun global të grurit”, tha Putin.

Ai e quajti “tërheqjen e sanksioneve për furnizimet e grurit dhe plehrave ruse në tregjet botërore” si një nga kushtet kryesore. Moska për muaj të tërë ishte ankuar se një marrëveshje lidhur me lejimin e eksportit të ushqimit dhe plehrave ruse nuk ishte respektuar.

Putin tha se Rusia kishte treguar “mrekulli të ekuilibrit dhe tolerancës” duke e zgjatur marrëveshjen disa herë. Por ai akuzoi vendet perëndimore për përdorimin e marrëveshjes për “shantazh politik”.

“Në vend që të ndihmonte vendet në nevojë reale, Perëndimi përdori marrëveshjen e grurit për shantazh politik dhe… e ktheu atë në një mjet për të pasuruar korporatat transnacionale dhe spekulatorët në tregun global të drithit”, tha ai.

Putin foli menjëherë pasi ushtria ruse tha se anijet e ngarkesave që drejtoheshin për në portet ukrainase në Detin e Zi do të konsideroheshin se mund të transportonin ngarkesa ushtarake.

Marrëveshja e grurit, e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, kishte mundësuar eksportin e më shumë se 32 milionë tonëve drithë ukrainas gjatë vitit të kaluar.

Top Channel

Share: