Home Gjeo-Ekonomia Analiza: “Lista” e rusëve që humbën jetën pas përplasjeve me Kremlinin

Analiza: “Lista” e rusëve që humbën jetën pas përplasjeve me Kremlinin

Njëra ishte gazetare e vendosur për të ekspozuar korrupsionin, keqpërdorimet dhe abuzimet – nga sallat e pushtetit në Moskë deri në fushat e vrasjeve në Çeçeni. Tjetri ishte një politikan i zjarrtë, që udhëhoqi protesta paqësore kundër presidentit rus, Vladimir Putin, mashtrimeve zgjedhore dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Së paku tre të tjerë ishin burra nga sfera të ndryshme të jetës që kishin një gjë të përbashkët: dyshimet për bombardimin e ndërtesave më 1999, që çuan në një luftë të re në Çeçeni dhe ndihmuan që Putini të bëhej i njohur, përpara se Boris Yeltsin të jepte dorëheqje dhe ta bënte atë president.Ata dallonin në shumë mënyra, por lista e rusëve me ndikim, që janë vrarë ose kanë vdekur në rrethana të errëta, pasi kanë kundërshtuar, kritikuar ose tejkaluar Putinin, Kremlinin ose shtetin, është e gjatë.

Dhe mund të bëhet më e gjatë.

Nëse konfirmohet vdekja e tij në një aksident ajror më 23 gusht, Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, do t’i shtohej listës.

Dikur aleat i Putinit, Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar në fund të qershorit, për të cilin tha se kishte në shënjestër udhëheqësit ushtarakë të Rusisë, por ai e turpëroi Putinin dhe ekspozoi kufijtë e kontrollit të tij, duke e bërë atë të duket i dobët.

Më poshtë mund të lexoni për disa nga njerëzit e shquar që pësuan vdekje të dhunshme ose të dyshimta prej se Putini – i cili ka qenë president ose kryeministër i Rusisë që nga gushti i vitit 1999 – mori pushtetin, 24 vjet më parë.

Sergei Yushenkov

17 prill 2003: Sergei Yushenkov, një politikan veteran dhe udhëheqës i partisë Rusia Liberale, që ishte kundër Kremlinit, u qëllua para shtëpisë së tij në Moskë.

Yushenkov ishte në krye të përpjekjeve të ligjvënësve liberalë për të hetuar përfshirjen e mundshme të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në një seri bombash vdekjeprurëse në disa apartamente, në vitin 1999. Për këto shpërthime, që vranë rreth 300 njerëz, u fajësuan militantët çeçenë. Ato u shfrytëzuan nga Moska si pretekst për të nisur Luftën e Dytë Çeçene.

Anna Politkovskaya

7 tetor 2006: Një nga gazetaret më të shquara të Rusisë dhe një kundërshtare e madhe e abuzimeve me të drejtat e njeriut në Çeçeni, Politkovskaya u qëllua për vdekje në banesën e saj.

Dy burra u dënuan me burgim të përjetshëm dhe tre të tjerë me burgime të gjata në vitin 2014 për përfshirjen e tyre, por të afërmit, kolegët dhe qeveritë perëndimore dyshojnë se autoritetet ruse nuk do t’i identifikojnë apo ndëshkojnë kurrë organizatorët e vrasjes së saj, sepse hetimet e plota do të çonin shumë afër Qeverisë së Putinit ose udhëheqjes së mbështetur nga Kremlini në Çeçeni.

Aleksandr Litvinenko

23 nëntor 2006: Ish-agjenti rus i sigurisë vdiq në Londër pasi u helmua me polonium radioaktiv-210. Litvinenko iku në Britani në vitin 2000, pasi akuzoi FSB-në për komplot për të vrarë oligarkun Boris Berezovsky. Ai, më vonë, shkroi një libër që fajësonte FSB-në për bombardimin e apartamenteve në vitin 1999.

Hetimet britanike zbuluan se Litvinenko kishte pirë çaj të mbushur me polonium, gjatë një takimi me rusët Andrei Lugovoi dhe Dmitry Kovtun, në një hotel në Londër, disa javë më parë. Moska refuzoi t’i ekstradojë dy burrat. Në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara i futën ata në listën e zezë, në bazë të Aktit Magnitsky.

Natalya Estemirova

16 korrik 2009: Trupi i aktivistes së njohur për të drejtat e njeriut, me plagë plumbash në kokë dhe gjoks, u gjet në Ingusheti, disa orë pas rrëmbimit të saj pranë shtëpisë së saj në kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni.

Natalya Estemirova hetoi qindra abuzime të dyshuara të të drejtave të njeriut në Çeçeni, përfshirë rrëmbime dhe vrasje. Grupi për të cilin punonte, Memorial, tha se hetimet fillestare kanë treguar përfshirjen e mundshme të oficerëve vendas të zbatimit të ligjit.

Shefi i Memorialit, Oleg Orlov, u padit më vonë për shpifje, pasi akuzoi liderin çeçen të mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, për orkestrimin e vrasjes së Estemirovës, por ai u lirua përfundimisht.

Sergei Magnitsky

16 nëntor 2009: Informatori që kishte implikuar zyrtarë rusë në një mashtrim të dyshuar tatimor, në vlerë prej 230 milionë dollarësh, vdiq një vit pasi u burgos për akuza të ngjashme. Sergei Magnitsky vuante nga pankreatiti dhe atij nuk iu dha kujdes mjekësor në paraburgim – kushte që aktivistët e të drejtave të njeriut thanë se ishin të barabarta me torturën. Sipas Këshillit të të Drejtave të Njeriut të vetë Kremlinit, ai u rrah keq përpara se të vdiste.

Në vitin 2012, Shtetet e Bashkuara miratuan Aktin Magnitsky, i cili ka në shënjestër rusët e implikuar në abuzime me të drejtat e njeriut. Në bazë të këtij akti, atyre u ndalohen vizat dhe u ngrihen asetet.

Në korrik të vitit 2013, një gjykatë ruse e shpalli Magnitskyn fajtor për evazion fiskal. Gjyqi pas vdekjes ishte i paprecedentë.

Boris Nemtsov

27 shkurt 2015: Ish-guvernatori dhe zëvendëskryeministri reformator rajonal, i cili ishte një yll në rritje politik në vitet 1990, por u bë një nga kundërshtarët më të zëshëm të Putinit, u qëllua për vdekje në një urë pranë Kremlinit, në moshën 55-vjeçare.

Një ligjvënës liberal në fillim të presidencës së Putinit, Nemtsov ndihmoi në udhëheqjen e protestave kundër zgjedhjeve parlamentare dhe kthimit të Putinit në presidencë në vitin 2012. Ai kundërshtoi fuqishëm agresionin rus kundër Ukrainës në vitin 2014, duke e cilësuar atë si “të neveritshëm”, “të paturpshëm” dhe “të dëmshëm për Rusinë”.

Në kohën e vrasjes së tij, ai dhe bashkëpunëtorët e tij kishin punuar për një raport që detajonte provat e ndërhyrjes së Moskës në vendin fqinj./REL

360grade.al

Share: