Home Gjeo-Ekonomia Gusht 1939 – Gusht 2023, një e vërtetë historike, që na fshehu...

Gusht 1939 – Gusht 2023, një e vërtetë historike, që na fshehu për 80 vjet historiografia filoruse

“Në 23 gusht 1939 u nëshkrua në Moskë pakti i mosulmimit midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë së Hitlerit, që u nënshkrua nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve dhe njihet në histori si “pakti Molotov- Ribbentrop”.

Pakti u nënshkrua tetë ditë para pushtimit të Polonisë nga Gjermania. Pakti kishte edhe një protokoll sekret në bazë të të cilit Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik ndanin midis tyre Poloninë nga Veriu në Jug. Në sferën e influencës së Bashkimit Sovjetik jepej Besarabia, Finlanda, Estonia dhe Letonia.

Në banketin, që Kremlini dha pas nënshkrimit të paktit, Stalini ngriti dolli për Hitlerin, duke deklaruar: ”Unë e di se sa fort kombi gjerman e don udhëheqësin e vet, prandaj dua të pij për shëndetin e tij”. Kur edhi Ribbentropi në Moskë për nënshkrimin e paktit, rruga Gorki ishte zbukuruar me flamuj nazistë me kryqin e thyer.

Në 31 gusht 1939 në Sovjetin Suprem të Bashkimit Sovjetik Molotovi deklaroi: ”Tani me pamje naive disa zëra pyesin: Si mundet Bashkimi Sovjetik të hyjë në pëmirësimin e marrëdhënieve politike me shtetin fashist? Harrojnë që ne i përmbahemi qendrimit të mosndërhyrjes në punët e brendëshme të shteteve të tjera”.

Po atë ditë në 31 gusht Ribbentropi njoftoi Stalinin për fillimin e ndërhyrjes së Gjermanisë në Poloni. Për zhvillimin e inkursioneve ajrore të bombardimeve mbi qytetet polake, Gjermania përdori shërbimet e radiostacioneve ushtarake sovjetike në Minsk.

Shtabi i forcave ushtarako-ajrore gjermane, në prag të sulmeve ajrore mbi Poloni, nëpërmjet ambasadës gjermane në Moskë iu drejtua Molotovit me lutjen për përdorimin e radiostacioneve ushtarake sovjetike. Molotovi e dha menjëherë miratimin.

Në 17 shtator Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesën lindore të Polonisë dhe shtypi sovjetik e quajti pushtimin e Polonisë nga ushtria sovjetike “operacion për çlirim”.

Në notën dorëzuar ambasadorit polak në Moskë në orën 2 të natës së 17 shtatorit, Molotovi e motivoi ndërhyrjen e armatosur sovjetike “me nevojën e kujdesit për vëllezërit e një gjaku bjellorusë dhe ukrainas, kur Varshava si kryeqytet i Polonisë nuk ekziston më dhe Polonia ka pushuar së ekzistuari”.

Në 28 shtator 1939, pas ndarjes së përbashkët të Polonisë, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania nënshkruan një marrëveshje të re të titulluar “Marrëveshje për miqësinë dhe për kufirin”.

Në 30 shtator 1939 Molotovi deklaronte: “Është jo vetëm çmenduri, por edhe kriminale të bësh një luftë për asgjësimin e hitlerizmit”.

Në paradën e 1 majit 1941 në Sheshin e Kuq në Moskë  janë të pranishëm, duke parakaluar dhe duke shtrënguar duart edhe zyrtarë gjermanë me uniforma naziste.

Në fund të viteve 80’ protokollet sekrete të paktit Molotov-Ribbentrop u gjendën në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kongresi i deputetëve të populllit i shpalli marrëveshjet e Stalinit me Hitlerin të pavlefëshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe moralin.

Presidenti Putin iu rikthye mbrojtjes së paktit sovjetiko-gjerman të 23 gushtit të vitit 1939. Ja qendrimi zyrtar i Kremlinit i paraqitur nga agjencia shtetërore e informacionit e Rusisë “Ria Novosti” në 23 gusht 2023, në përvjetorin e nënshkrimit të paktit midis Bashkimit Sovetik të Stalinit dhe Gjermanisë së Hitlerit:

“Pakti, që shpëtoi vendin. 80 vjet nga traktati i mossulmimit midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë. Ky dokument ndihmoi Bashkimin Sovjetik të mbetet dhe sot një nga faktorët e politikës botërore”.

—-

Përkthyer nga DITA. Marrë nga gazeta e njohur ruse “Novaja Gazeta”, 23 gusht 2023, me titull: “Turpi stalinist. Si pakti Molotov-Ribbentrop dhe ndarja e Europës me Hitlerin u bë në shekullin 20 e fshehta e ndyrë e Kremlinit dhe sot shkak për krenari i Kremlinit”.

Share: