Home KRYESORE Krimi kibernetik dhe ndryshimet në Shqipëri

Krimi kibernetik dhe ndryshimet në Shqipëri

Nga Avokat Edmond Petraj

Tri javë më parë, në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme u zhvilluan disa seminare mbi fenomenin e krimit kibernetik (komjputerik) si dhe ndryshimeve në Shqipëri, për të mundësuar hetim dhe ndalim më efikas të krimit kibernetik.

Në veçanti u bë me dije se janë ngritur 8 struktura të posaçme pranë prokurorive të rretheve si dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjithashtu në këto seminare u trajtuan veprat penale që do të hetohen nga këto njësi të veçanta.

Prokuroritë në fjalë janë: Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë dhe Shkodër. Veprat penale janë:

a) Neni 74/a i Kodit Penal “Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro gjenocidit ose krimeve kundër njerëzimit”

b) Neni 84/a i Kodit Penal “Kanosja me motive racizimi dhe ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik”

c) Neni 119/a i Kodit Penal “Shpërndarja e materialeve raciste ose ksenofobike nëpërmjet sistemit kompjuterik”

d) Neni 119/b i Kodit Penal “Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik”

e) Neni 143/b i Kodit Penal “Mashtrimi kompjuterik”

f) Neni 186/a i Kodit Penal “Falsifikimi kompjuterik”

g) Neni 192/b i Kodit Penal “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”

h) Neni 293/a i Kodit Penal “Përgjimi i paligjshëm i tё dhёnave kompjuterike”

i) Neni 293/b i Kodit Penal “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”

j) Neni 293/c i Kodit Penal “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”

k) Neni 293/ç i Kodit Penal “Keqpërdorimi i pajisjeve”

Po ashtu, në objektin e veprimtarisë së sektorit do te jenë dhe veprat penale të mëposhtme kur ato kryhen nëpërmjet sistemeve kompjuterike:

a) Neni 108, paragrafi i katërt i Kodit Penal “Vepra të turpshme”

b) Neni 117 i Kodit Penal “Pornografia”

c) Neni 147 i Kodit Penal “Mashtrimi me veprat e artit e të kulturës”

d) Neni 148 i Kodit Penal “Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet”

e) Neni 149 i Kodit Penal “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”

f) Neni 149/a i Kodit Penal “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”

g) Neni 149/b i Kodit Penal “Shkelja e të drejtave të topografisë së qarkut të gjysmëpërçuesit

Këto janë zhvillime interesante në panoramën e krimit kompjuterik në vendin tonë. Përkufizimi i këtyre veprave penale është bazuar mbi Konventën e Budapestit dhe tregon një përpjekje për t’u afruar më shumë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe si e tillë duhet lavdëruar. Por kemi përshtypjen që shumë ngelet për t’u bërë. Nuk mjafton vetëm njohja ligjore e veprave penale. Duhet dhe një përforcim i stafit të këtyre njësive për të njohur më në detaje krimin kompjuterik.

Ndërsa shkruaj këto rreshta kam parasysh tentativat e njëpasnjëshme, të dështuara të shtetit tonë për të ndaluar piraterinë e sinjaleve televizive. Dhe në këtë temë përforcimet që duhet të realizojë shteti shqiptar në know-how apo qoftë edhe në ligj, janë të shumta. Sidomos po të kemi parasysh shpejtësinë me të cilën ndryshon dhe panorama teknike e mjeteve që realizojnë pirateri. Zhvillimet e ditë të fundit në SHBA, në lidhje me betejën ligjore të Aereo me broadcaster-at amerikanë tregojnë se sa është e komplikuar kjo temë.

Në ditët që vijojnë do të prekim prapë këto tema delikate dhe interesante për fushën e teknologjisë së informacionit.

Share: