Nga Shaban Murati
Botuar në DITA
Një ultimatum komik i drejtoi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në 8 gusht Ukrainës, nëse ajo njeh Kosovën. Në alarm të plotë personal, sikur po po fliste me ndonjë katund të humbur serb të Shumadisë, Vuçiç bëri kërcënimin publik: “Nëse Ukraina njeh Kosovën do të humbë gjithçka brenda ditës”.
Nuk e tha se çfarë do të humbte Ukraina dhe nga kush, sepse nuk kishte çfarë të thonte, sepse shteti liliput serb nuk mund ta dëmtojë Ukrainën e madhe në asnjë gjë.
Menjëherë të gjitha mediat kombëtare dhe ndërkombëtare ruse u angazhuan t’i bëjnë jehonë të jashtëzakonshme ultimatumit të presidentit serb, duke e shpërndarë si një shantazh propagandistik prorus mbi Ukrainën.
Drejtori i “Fondit të Politikës Progresive” në Moskë dhe drejtor i medias së specializuar qeveritare ruse për Ballkanin “Balkanist”, Oleg Bondarenko, shkruante në 11 gusht se “Me këtë akt Ukraina do të qëllojë veten në këmbët e saj. Njohja e Kosovës nga Ukraina do të ishte prerje e marrëdhënieve diplomatike midis Kievit dhe Beogradit dhe gjithashtu një shkallëzim”.
Rusia e alarmuar gjithashtu, dhe që e di se Serbia nuk mund t’i bëjë asgjë Ukrainës, po i dikton Beogradit që të presë marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën, nëse ndodh kjo njohje. Por e vërteta është se as këtë hap idiot, që varet nga Beogradi, nuk e bën dot Vuçiçi, sepse nuk e ka bërë me asnjë nga mbi 100 shtetet e botës, që e kanë njohur Kosovën, as me vendet e NATO-s dhe as me vendet e BE.
Në të njejtën kohë Moska po nxit Serbinë për ndonjë aventurë tepër të rrezikshme. Agjencia zyrtare ruse e lajmeve “Ria Novosti” në datën 16 gusht intervistonte general-majorin ekstremist serb Luka Kastratoviç, president i klubit të gjeneralëve dhe admiralëve të Serbisë, i cili kërkon që Serbia të ndërmarrë në Kosovë “operacionin special ushtarak”, që bëri presidenti Putin në Donbas dhe që gjenerali fashist serb e quan “goditje preventive”.
Ajo, që e shkaktoi alarmin dhe shqetësimin e madh të presidentit Vuçiç dhe të Serbisë, si dhe të Rusisë prapa saj, ështe letra e përbashkët e 10 kryetarëve të komisioneve të jashtme të parlamenteve të Europës, SHBA dhe Britanisë së Madhe, dhe e 46 deputetëve të tjerë nga këta parlamente, drejtuar në 7 gusht sekretarit amerikan të shtetit Blinken, përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të BE, Borrell dhe ministrit të jashtëm britanik, në të cilën i kërkojnë një qëndrim të ashpër të Perëndimit ndaj Serbisë për raportet me Kosovën dhe heqjen dorë nga taktikat e pafrutëshme zbutëse ndaj presidentit serb, si dhe shprehin mbështetje për shtetin e pavarur të Kosovës.
Letra është akti më i rëndësishëm i pushtetit legjislativ perëndimor, europian dhe amerikan që nga shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës, që konfirmon linjën konsekuente perëndimore për të mbështetur fort të drejtën e popullit të Kosovës për pavarësi, sovranitet dhe shtet të pavarur.
Letra merr rëndësi të veçantë, sepse ndërmerret nga përfaqësuesit parlamentarë të shumicave qeveritare në vendet përkatëse perëndimore dhe nënshkruhet nga emra të rëndësishëm të jetës politike të atyre vendeve.
Letra e 56 deputetëve të parlamenteve perëndimore qe një shuplakë e rëndë për presidentin Vuçiç dhe për Kremlinin, të cilët po përpiqen që të ngrejnë tensionet në Kosovë e të mbajnë konfiktin të ndezur, sepse synjonë të krijojnë vatra pastabiliteti në Ballkan në ndihmë të strategjisë ruse në rajon.
Letra e grupit të deputetëve të parlamenteve perëndimore merr gjithashtu rëndësi diplomatike, sepse i jep një goditje direkte qendrimeve bizantine proserbe të disa segmenteve të diplomacisë europiane, të cilat po ndjekin lojën tinzare të përkrahjes direkte ndaj Serbisë dhe të përkrahjes indirekte ndaj Rusisë.
Me një ndjenjë urrejtje tipike ultranacionaliste serbe, presidenti Vuçiç në 9 gusht e sulmoi ashpër letrën e kryetarëve të komisioneve të jashtëme dhe të deputetëve të parlamenteve perëndimore, duke deklaruar se “letra është e drejtuar kundër Serbisë”.
Letra e përbashkët e 56 deputetëve të parlamenteve perëndimore merr rëndësi të posaçme në planin diplomatik, sepse u drejtohet shefave të dipomacisë së BE, të SHBA dhe të Britanisë së Madhe, kur po konstatohet një tendencë për një prirje të gabuar diplomatike për joshje ndaj Serbisë dhe për neglizhim të intransigjencës nacionaliste të presidentit Vuçiç, i cili po saboton hapur marrëveshjen e BE të Brukselit në shkurt 2023 dhe të Ohrit në mars 2023 për zbatimin e planit franko-gjerman të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Letra mund të cilësohet një tërheqje vëmendje nga kryetarët e komisioneve të punëve të jashtëme të shumicave qeverisëse ndaj disa taktikave diplomatike perëndimore në periudhën e tanishme. Një tërheqje vëmendje diplomatike e drejtë, që e afron më shumë diplomacinë perëndimore në përputhjen me realitetet në terrenin ballkanik.
Ky akt parlamentar perëndimor prish iluzionet e presidentit serb dhe të Kremlinit se ata po arrijnë t’i hedhin hi syve diplomacisë dhe politikës perëndimore.
Element shumë i rëndësishëm i letrës së përbashkët të 7 gushtit të parlamentarëve të Perëndimit është sidomos bashkimi me grupin e deputetëve dhe firma në të e kryetarit të komitetit të politikës së jashtme të parlamentit të Ukrainës, Oleksandër Merezhko, shteti i të cilit nuk është anëtar i BE dhe nuk e njeh Kosovën. Firma dhe qendrimi i tij politik bashkohet në letrën e përbashkët me qendrimin kryesor, i cili është që Kosova është shtet i pavarur.
Firma e kryetarit të komitetit të politikës së jashtme të parlamentit të Ukrainës në letrën e përbashkët të përfaqësuesve të parlamenteve europiane dhe amerikane ra si bombë në Beograd dhe në Moskë. Sidomos në Beograd, që panë se çështja e njohjes së Kosovës nga Ukraina kaloi nga prapa kuintave të diplomacisë në rend të ditës dhe u bë publike nga një zë autoritativ i parlamentit të Ukrainës. Ndaj Vuçiç reagoi me një ultimatum qesharak.
Në fakt çështja e njohjes së Kosovës nga Ukraina ka kohë që diskutohet në kanalet diplomatike dhe në rrethet e brendshme parlamentare dhe qeveritare ukrainase. Në 7 gusht kryetari i komitetit të politikës së jashtme të parlamentit ukrainas, Oleksandër Merezhko, deklaroi se shtja e njohjes së Kosovës ka kohë që është diskutuar në Kiev. Në 8 gusht ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tollkaç, i deklaroi shtypit serb se ka gjithnjë e më tepër zëra në shoqërinë ukrainase, që mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina dhe ka një numur të madh deputetësh në parlament që mbështesin idenë e njohjes së saj.
Media ukrainase “zn.ua” shkruante në 11 gusht: “Prania diplomatike e Ukrainës në Prishtinë është prej kohësh një domosdoshmëri, sepse ajo do të shohë me sytë e saj çfarë ndodh në një nga pikat më të nxehta dhe të rrezikëshme të Europës”. Në 11 gusht media qeveritare ruse “Balkanist” pranonte se “do të ketë raund tjetër bisedimesh për njohjen e mundëshme të Kosovës nga Ukraina”.
Ukraina, e cila nuk e ka njohur Kosovën, ndodhet në një nga provat më të vështira të historisë dhe të ekzistencës së saj, si objekt i një agresioni dhe pushtimi të egër ushtarak nga Rusia. Është një gur i madh prove i luftës për mbrojtjen e atdheut dhe për ekzistencën e një populli dhe të një shteti, i cili nuk e përballon dot vetëm pa ndihmën e miqve dhe të aleatëve perëndimorë.
Këtu ndahen dhe dallohen qartë miqtë e vërtetë dhe armiqtë e vërtetë të Ukrainës, dhe se cilët janë aleatë të Rusisë agresore dhe pushtuese. Kosova ka manifestuar një qendrim heroik, duke mbështetur me të gjitha forcat luftën e Ukrainës kundër agresionit rus, duke bashkuar menjëherë me sanksionet e BE dhe të SHBA kundër Rusisë, duke strehuar refugjatë ukrainas dhe duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar popullin ukrainas në të gjitha drejtimet kundër agresorit rus.
Momente të tilla të rënda historike, që po kalon populli i Ukrainës, janë guri i provës për shtetin dhe diplomacinë e Ukrainës për të flakur paragjykimet e kohërave të vjetra dhe për të përputhur qendrime të reja me interesat e tyre jetike shtetërore dhe kombëtare dhe me shtetet, që janë rreshtuar në aleancën me interesat e Ukrainës, ku bën pjesë edhe Kosova.
Ndaj njohja e Kosovës nga Ukraina është bërë çeshtje dite në parlamentin dhe në politikën ukrainase, sepse Kosova provoi që është një shtet mik i vërtetë i Ukrainës në këto ditë dhe vite të vështira për shtetin dhe popullin ukrainas.
Kryetari i komitetit të politikës së jashtme të parlamentit ukrainas, Oleksander Merezhko, e shprehu qartë në 10 gusht argumentin kryesor të përkrahësve të njohjes së Kosovës: “Njerëzit në Ukrainë e shohin shumë qartë se Kosova është në anën e Ukrainës. Ndaj njohja mund të ndodhë në një të ardhme jo shumë të largët. Në Serbi ne shohim simpati ndaj Rusisë”.
Në Ukrainë e dinë fare mi se Serbia dhe Vuçiçi nuk i kanë dënuar kurrë me emër as agresionin rus dhe as presidentin agresor Putin për invazionin kriminal në Ukrainë, se Serbia ka refuzuar pareshtur kërkesën e BE që të bashkohet me sanksionet kundër Rusisë, se Serbia ka ndihmuar Rusinë t’i shmanget sanksioneve antiruse duke ngritur menjëherë në territorin serb në vitin 2022 të agresionit mijra kompani ruse, se Serbia ka dërguar mecenarë të luftojnë kundër ushtrisë ukrainase, se presidenti Vuçiç i dha leje kompanisë së shërbimit sekret ushtarak rus “Wagner” që të hapë në Beograd në dhjetor të vitit 2022 një qendër rekrutimi të mercenarëve serbë për të luftuar kundër Ukrainës.
Në Kiev e dinë mirë se edhe në agresionin e parë ushtarak rus kundër Ukrainës në 2014 Serbia nuk e dënoi kurrë agresionin rus dhe as aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia. Madje presidenti i Serbisë, T. Nikoliç, në vitin 2014 i dërgoi urimet presidentit rus Putin, ku e përshëndeste për aneksimin e Krimesë. Kurse kryeministri i asaj kohe Vuçiç disa muaj pas agresionit të parë rus, organizonte në tetor të vitit 2014 në Beograd një paradë pompoze ushtarake për nder të presidentit agresor Putin.
Oleksander Merezhko solli në 10 gusht edhe një argument tjetër të rëndësishëm në favor të njohjes, duke theksuar se “aleatët tanë, që na ndihmuan për të mbijetuar, e mbështesin Kosovën, ata e kanë njohur Kosovën dhe është një nga argumentet në favor të njohjes”.
Në fakt Ukraina ka ndjekur një kurs të afrimit gradual në pikën e njohjes së Kosovës. Ajo ka njohur pasaportat e Kosovës dhe në 25 pril 2023 në votimin në komitetin ministerial të Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës në atë organizatë, nuk votoi “kundër” siç dëshironte Serbia, por abstenoi. Ky qendrim i Ukrainës e tërboi Beogradin dhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, e kërcënoi atë ditë Ukrainën në mënyrë qesharake se “kjo mënyre votimi do të ndikojë në marrëdhëniet e Beogradit me të”.
Burime diplomatike bëjnë të ditur për gazetën DITA se në fillim Ukraina mund të hapë një “zyrë diplomatike” ose një “zyrë ndërlidhje” në Prishtinë, siç kanë bërë edhe disa shtete, që nuk e njohin Kosovën si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Kina. Pritet që pas kësaj Kievi të vlerësojë momentin konkrekt të njohjes zyrtare të shtetit të pavarur të Kosovës, gjë që është direkt në kompetencën e presidentit të republikës Volodymyr Zelenski.
Shqetësimi i Serbisë dhe i Rusisë nga procesi në ecje i Ukrainës drejt njohjes së Kosovës vjen nga frika se një hap i tillë i Kievit do të çvleftësojë përfundimisht tezën kryesore diplomatike antiperëndimore të Rusisë se Kosova është e ngjashme me Krimenë dhe kush njeh Kosovën duhet të njohë edhe Krimenë e aneksuar nga Rusia.
Nëse një shtet si Ukraina, në luftë dhe e pushtuar në disa rajone nga Rusia, e njeh Kosovën, bie çdo justifikim apo hezitim i pesë shteteve të BE, që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Me njohjen e Kosovës Ukraina i konfirmon botës nga terreni se Kosova nuk ka asgjë të përbashkët me Krimenë dhe Donbasin të aneksuara me agresion.
Lëvizjet e fundit në skakierën diplomatike parlamentare europiane si letra e 56 deputetëve të parlamenteve europiane dhe amerikane, ashtu dhe dalja në rend të ditës në politikën ukrainase e njohjes së Kosovës, duhen konsideruar zhvillime pozitive në favor të pozitave ndërkombëtare të shtetit të pavarur të Kosovës.
Veproi drejt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që përshëndeti personalisht letrën e rëndësishme të 56 parlamentarëve perëndimorë, sepse tregon mirënjohje ndaj aleatëve perëndimorë të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Por është krejtësisht e pakuptueshme dhe e papranueshme që qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk gjetën dot as kohë dhe as rast që të shprehnin një rresht falenderim për një akt të rëndësishëm diplomatik të përfaqësuesve të rëndësishëm të legjislativit dhe të politikës europiane dhe amerikane.
Është fyese për shtetin dhe për diplomacinë e Tiranës kur në të njejtën kohë zëri suprem qeveritar harton një letër çarçaf me shprehje të padinjitetëshme, më përulëse dhe servile, si një kërkesë falje ndaj miqve të tij të shtrenjtë kryeqeveritarë të Athinës, të cilët e përçmuan shtetin shqiptar, ndërhynë në punët e tij të brendëshme dhe të drejtësisë shqiptare, i shkelën sovranitetin dhe i shprehën rivendikime territoriale në mes të territorit shqiptar në Himarë, duke organizuar manifestime antishqiptare sikur të ishin në livadhet e tyre në Athinë apo në Selanik.
Kohërat diplomatike aktuale janë të vështira, por ato po i bën edhe më të vështira për Shqipërinë politika e jashtëme profane dhe apatride.
Megjithatë të inkurajojnë zhvillimet e fundit pozitive, sepse në krah të së drejtës del diplomacia parlamentare dhe politika e aleatëve tanë strategjikë të perëndimit, të cilat po ndërmarrin hapa dhe veprime, që çojnë te konsolidimi i shtetit të pavarur të Kosovës, dhe rrjedhimsht edhe të pozitave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
—-
©Copyright Gazeta DITA