Ditë më parë, në Serbi është regjistruar një rast ku policia serbe kanë ndalur një familje shqiptare nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut.
Familja në fjalë përbëhej nga burri e gruaja dhe djali i tyre i mitur, të cilët pas pushimeve në vendlindje, janë nisur drejt BE-së ku edhe jetojnë prej vitesh.
Afër Beogradit, një patrullë e policisë së Serbisë ka ndaluar veturën e shqiptarit nga Gostivari, ndërsa i kanë marrë në stacion të policisë vetëm sepse djali i tyre i mitur, ka pasur të veshur një bluzë me shqiponjë.
Nga ora 19 e datës 23 gusht e deri më 24 gusht pasdite, policia ka mbajtur peng familjen shqiptare në polici, ndërsa para gjykatës e ka nxjerrë nënën e djalin S.B, e cila është dënuar me 30.000 dinarë (rreth 255 Euro) si dhe është shpallur “person non grata” deri në vitin 2031.
Gruaja nuk është lënë e lirë derisa e njëjta ka paguar gjobën në para dhe kur e ka firmosur vendimin gjyqësor, me të cilën asaj i ndalohet hyrja në territorin serb për 7 vitet e ardhshme.
E për këtë rast ka pasur reagime të shumta, ndërsa reagim pati edhe nga deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi. Ai madje përmendi edhe raste tjera të rasteve kur shteti serb vepron kundër shqiptarëve.
Për këtë arsye, ai ka propozuar që të gjithë shqiptarët të vendosin flamurin Kuq e Zi në profilet e tyre në Facebook.
“Shqiponja është e jona. Prandaj e mbajmë me krenari. Të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Tendenca për t’na ndalu shqiponjën është tentativë për t’na mohu identitetin. Nuk pranojmë. Prandaj nuk mundeni. Në shenjë proteste për rastin e ndodhur ditë më parë, kur një fëmije shqiptar iu ndalua të mbante veshur fanellën me shqiponjë – Ta veshim Facebookin Kuq e Zi”, ka shkruar Kamberi.