Vras mendjen të kuptoj përshendetjen “a je lodh, a je mërzit?”. Mesa di përdorej rëndom dikur, në fillim të takimit me tjetrin dhe nuk ishte thjesht pershëndetje, por edhe grishje për bisedë.
Pse duhet ta grishje të porsatakuarin të fliste për ndjesi negative si lodhja e mërzitja? Nuk të mjaftonin hallet e tua, po duhet të degjoje edhe të tjetrit? Edhe një copë herë që mund të fjaloseshe me dikë duhej të përqëndroheshe tek anët e muzgëta të jetës?
Po ku ta dish që pyetja “a je lodh, a je mërzit?” përdorej jo në kuptimin e parë, dmth jo aq si grishje: “hajde të ulemi e të flasim vetëm për halle e vuajte”, por si mjet për të shprehur përkujdesje ndaj tjetrit, dëshirë për afri e intimitet? Se hallet nuk i tregohen kujtdo dhe sidomos se jo kushdo ka veshë të dëgjojë qarjet e tua.
Këto përsiatje më kujtojnë se në mesin e viteve 1990 m’u desh të shoqëroja një akademik anglez për një javë nëpër Shqipëri. Një mbrëmje, ndërsa po hanim darkë, i thashë a më saktë iu qava se tek ne nuk praktikohej terapia e bisedës me psikanalistin.
E ç’ju duhet – ma priti akademiku që çdo gjëje i qasej nga ana pozitive – ju afroheni lehtë e flisni shpenguar me tjetrin, lidhjet familjare e shoqërore i keni ku e ku më të afërta sesa tek ne që kemi shumë më tepër individualizëm e privaci, por edhe shumë më tepër vetmi.
Tani, pas çerek shekulli, këshillimi psikologjik po bëhet i zakonshëm edhe tek ne. Mbase ngaqë ia ndjejmë nevojën; shumicën e herëve psh nuk dimë as emrin e atyre që banojnë një kat posht apo një kat lart nesh. Kalojnë rioshë e rioshe shkallëve dhe nuk të thonë as mirmëngjes, pa le të mbajnë këmbët e të thonë dy fjalë, qoftë edhe për motin, sa për mirësjellje.
Mbase është e përligjur që ky lloj ‘modernizmi’ të të bëjë nostalgjik për qasjen “a je lodh, a je mërzit?”.
(Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ )