Home Gjeo-Ekonomia Andi Bushati: A është “mirë me qenë shqiptar”, vetëm në stadium?

Andi Bushati: A është “mirë me qenë shqiptar”, vetëm në stadium?

Të dielën në darkë duke zbritur shkallët e stadiumit ende më buçisnin në vesh thirrjet “O sa mirë me qenë shqiptar” dhe ritmi i këngës: “ti Shqipëri më jep nder”.

Kori i tifozëve vazhdonte ti gërthiste ato si i dehur, sikur të donte të zgjaste atë delir që vetëm në një ndeshjeje futbolli mund të provohet. Ndonëse, po aq sa të tjerët edhe unë i kisha të acaruara kordat vokale, sidomos pas golave të Asanit dhe Dakut, e kisha kapur veten të shqiptoja vetëm thirrjet oe,oe, oe, pas refrenit “o sa mirë me qenë shqiptar”. Një ndjesi e brendshme më frenonte të shpallja me bindje se është më mirë të jesh shqiptar sesa gjerman, polak, apo eskimez.

Në fakt, asnjëherë nuk më ka pëlqyer patriotizmi folklorik që shpaloset në shkallët e stadiumeve, ku sipas modelit komercial të Digitalb, i këndohet “flamurit më të bukur në botë”, ku shahen nga motra shtetet armiq, madje edhe kur nuk janë fare pjesë e garës, ku i thuret himn një konstrukti etnikisht të pastër, që gëlon vetëm në ëndrrat e një pakice nacional-ekstremiste shqiptare.

Por, pavarësisht nga këto stërhollime, që në ato momente, aty rreth e rrotull, nuk i interesonin askujt, koret disa mijërash vazhdonin të këndonin. Ndoshta stadiumi dhe kombëtarja janë të vetmet simbole përbashkuese që e bëjnë njeriun shqiptar, ta shpalosë me krenari përkatësinë e tij dhe të mburet me identitetin e vet. Në pushim të ndeshjes kishim shkëmbyer një bisedë të shkurtër dhe bërë një fotografi me një emigrant nga Kanadaja, që më tha se kishte udhëtuar enkas për të mbështetur ‘të kuqtë”. Ai u largua dhe e pashë nga larg të këndonte të njëjtat refrene pas golit të dytë të Dakut. Nuk e di dhe s’kisha si ta pyesja, se cilat qenë arsyet që e kishte lënë këtë vend. Ndoshta mund të ishin ato të zakonshmet. Një jetë më e mirë, një e ardhme më e sigurt për fëmijët, apo motive të ngjashme me të gjithë të tjerët që vendosin të thonë lamtumirë. Nuk e di se me ç’ndjenjë ishte larguar prej këtu, por jam i bindur se shumica e të tjerëve si ai, kthejnë kurrizin me shprehjet “ne s’do bëhemi dot kurrë, këtu nuk ka shpresë, si lëmë dot kalamajtë të rriten këtu”, etj. Me këtë mendësi i’a ka mbathur nga sytë këmbët, ndoshta njëherë e përgjithmonë, gati një e treta e popullsisë. Madje edhe ata që vijojnë të jetojnë e kanë të stampuar këtë lloj psikoze pesimiste. Po kur vjen puna, kur veshin fanellën e kuqe të tifozit të Shqipërisë, papritmas transformohen. Aty për aty ndihen krenarë për atë që janë. Pikturojnë fytyrat me ngjyrat e një flamuri për të cilin tregohen indiferentë në jetën e përditshme. Blejnë me kacidhet e fundit shallë, kapele, fanella të kuqe për t’u ndjerë mirë në sigurinë që të jep të qenit pjesë e një bashkësie. Paguajnë para nga buxheti i tyre, ndoshta i pamjaftueshëm, për të udhëtuar nga larg dhe për të siguruar një biletë, në mënyrë që ti përkasin një kori që i përkëdhel origjinën, sedrën dhe ndjenjën e përkatësisë.

Më vonë, kur njerëzit qenë shpërndarë dhe zhurma ishte shuar, u mundova ta krahasoj atë masë me turmat që mblidhen në manifestimet dhe mitingjet e partive. Ndonëse aty i shpërblejnë për të vajtur, i premtojnë vende pune dhe legalizime, u japin lekë në këmbim të dorëzimit të kartave, u ofrojnë tapi apo fshirje detyrimesh nga listat, nuk e sheh kurrë këtë entuziazëm xhenuin. Në këto lloj manifestimesh, i paguajnë, i joshin dhe porsa largohen edhe nëse kapin ndonjë gjë, pjesa më e madhe e turmës përsërit nën zë të zakonshmen: “është e kotë, ky vend nuk bëhet”.

Ndërsa në ditë si kjo e të dielës së fitores fantastike kundër Polonisë ata zbrisnin shkallët e stadiumit duke kënduar se sa krenari i jepte fakti i të qenit shqiptar. Dhe një pjesë janë po të njëjtët.

Natyrisht, kur vë re këtë ndryshim dhe tenton të bësh këtë krahasim, nuk mund të biesh pre e përfundimeve klishe se në ç’gjendje të mjerueshme është katandisur klasa jonë politike. As ta krahasosh rrefuzimin ndaj saj, me emocionet, pasionin apo zemërdridhjen që të fal magjia e futbollit, e cila është, diku më pak, apo dikur më shumë, e papërsëritshme në mbarë rruzullin. Por ama, shkëndija që ndez në mënyrë befasuese, çdo histori suksesi e kombëtares, sa herë që ajo ndodh, nuk është një sinjal që mund të neglizhohet. Përtej paragjykimeve që kanë një pjesë njerëzish si unë, për nacionalizmin folklorik dhe për përdorimin naiv të ndjenjës patriotike, fakti se edhe i shprehur në këtë formë, entuziazmi që arrin të ngjallë kombëtarja, përbën një virus ngjitës, është domethënës. Ai tregon se sa etje ka ky mjedis për simbole suksesi, për fitore që i ndajmë në mënyrë të barabartë të gjithë, për beteja nga të cilat askush të mos ndihet i përjashtuar, për ndjenjë përbashkësie dhe vlera që na unifikojnë. Ai tregon se çfarë shkëndije mjafton për të kaluar nga fatalizmi, se ky vend nuk bëhet, te të ndjerit krenar për përkatësinë që ke.

Të tëra këto ishin ngjizur së bashku në një dy orësh magjik, që do të zgjatej edhe pak, kur duke zbritur shkallët e stadiumit, ajo masë e madhe vazhdonte të shpërndante në eter thirrjen “o sa mirë me qenë shqiptar”, të cilës unë i bashkohësha vetëm me pasthirmat “oe, oe, oe”. Ata do ta vazhdonin festën edhe disa çaste në rrugët e qytetit, deri sa zërat e tyre të mpakeshin e të shuheshin nëpër natë. Të gjithë e dinin se e nesërmja do të ishte një ditë e zakonshme, ku do të bënin dhe thoshin të njëjtat gjëra si përherë./Lapsi.al/

Share: