Home Approccio Italo Albanese Arbri Merkaj: Kandidoj Për Foggian Sepse I Detyrohem Qytetit Për Mikpritjen

Arbri Merkaj: Kandidoj Për Foggian Sepse I Detyrohem Qytetit Për Mikpritjen

I larguar nga Shqipëria në vitin 2006 në moshën 15 vjeçare Arbri Merkaj u vendos në qytetin e Foggias, në Itali. Aty u shkollua, u integrua dhe u aktivizua në shoqata e lëvizje politike. Sot Arbri e ndjen për detyrë që të kontribuojë për qytetin që e mikpriti. Ai ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet lokale të cilat mbahen në datat 22 dhe 23 tetor për anëtar të këshillit bashkiak.

“Sot mora një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime: vendosa të futem në fushë për qytetin tim, Foggia. Pas vitesh militantizmi politik dhe në shoqata, vendosa të përballem me njerëzit dhe votën. Vitet e fundit ne kemi ndërmarrë një rrugëtim të bukur me Partinë Demokratike të Foggia-s për të gjetur ide dhe propozime të reja për Foggia-n: kultura, të rinjtë, sporti, integrimi i mirë dhe puna kanë qenë ndër fjalët kyçe të idesë sonë për qytetin e nesër” tha për Diaspora Shqiptare ai teksa i bën thirrje qytetarëve të Foggia-s të besojë te të rinjtë dhe të investojë në të ardhmen.

“Kam zgjedhur të kandidoj në Foggia sepse që në moshën 15-vjeçare më ka mirëpritur dhe e ndjej për detyrë të kthej gjithçka që më ka dhënë qyteti, që është një pjesë e madhe e asaj që jam. Falenderoj Partinë Demokratike të Foggia-s për mundësinë dhe besimin që më ka dhënë. Krahas Maria Aida Episcopo, kryetare bashkie sepse ne së bashku jemi Foggia”, thotë ai.

Arbri Merkaj është vendosur në Itali që prej vitit 2006 në moshën 15 vjeçare. Fëmijërinë e kaloi në Shqipëri, më pas formimin në Itali. Ka studiuar për shkenca turistike dhe më pas master për “Turizëm dhe të mira materiale”./DiasporaShqiptare

Share: