Home Gjeo-Ekonomia BE pret përfundimin e hetimeve për sulmin në veri para se të...

BE pret përfundimin e hetimeve për sulmin në veri para se të marrë masa

Pasi të vërtetohen të gjitha rrethanat dhe faktet e asaj që ka ndodhur më 24 shtator në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të marrin vendime rreth masave dhe hapave të mundshëm.

Kështu deklaroi më 27 shtator zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth kërkesave të disa shteteve anëtare për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Tanu kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës, pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohen dhe përmbyllen hetimet. Dhe kur të kemi pasqyrën e qartë nga hetimet, çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, pasi kjo të jetë e qartë do të marrim vendimet e duhura”, tha Stano.

Në BE kërkohen masa ndaj Serbisë nëse dëshmohet lidhja me sulmet në Banjskë

Ai përsëriti se masat ndëshkuese ndaj Kosovës – të vendosura në korrik për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për tensionet në veri – janë specifike, fleksibile dhe janë vendosur me pajtimin e shteteve anëtare. Po ashtu masat, sipas tij, mund të vendosen edhe ndaj Serbisë nëse kështu vlerësojnë shtetet anëtare.

Por, Stano tha se BE-ja nuk do të nxitohet me konkluzione pas u përfunduar hetimet.

Stano përsëriti disa herë se hetimet janë duke u kryer nga autoritetet e Kosovës dhe aty ku kërkohet po asiston edhe misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë.

Çfarë ndodhi në veri më 24 shtator?

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se organizator dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiç, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Për pjesëmarrjen e Radoiçiçit – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – Sveçla ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

Stano nuk deshi të komentojë akuzat nga Prishtina për përfshirjen e mundshme të nënkryetari të Listës Serbe, Millan Radoiçiç.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./ REL

Share: