Nga Lindita Komani
Llukën e njohim si fizikan, specialist në fushën e energjisë bërthamore dhe astrofizikës, si një intelektual i mirëfilltë, përkthyes veprash madhore filozofike, shkencore dhe fetare dhe si eseist me përvojë.
Kur para disa muajsh ai më besoi përgatitjen e këtij libri për botim, u befasova sepse në të rrallë kisha parë që Lluka të kishte sjellë për publikun poezi për lexim. Ky befasim vetëm se u shtua ndërkohë që kaloja nëpër duar materialin poetik.
Në redaktimin e librit kontributin kryesor e ka profesori i letërsisë Kristaq Jorgo, mik i ngushtë i autorit.
Pikturat që shfaqen në kopertinën e librit (para dhe pas) janë të piktorit Nazmi Hoxha, mik i autorit.
Para 11 vitesh Lluka pati mirësinë të redaktonte librin tim të parë dhe përgatiste edhe hyrjen për të, ndaj e kam ndier si të madhe përgjegjësinë për këtë libër. Uroj që lexuesit do të marrin kënaqësi të plotë estetike në shfletimin e tij, qoftë në përmbajtjen cilësore poetike ashtu edhe në dukjen e tij.
I uroj autorit sa më shumë sukses me librin dhe uroj që libri të arrijë tek sa më shumë lexues e sidomos njohës e shijues të zhanrit poetik.