Home Gjeo-Ekonomia Erdogan akuzon BE-në se po distancohet nga Turqia

Erdogan akuzon BE-në se po distancohet nga Turqia

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Bashkimin Evropian se po distancohet nga Turqia. Përpjekjet e Ankarasë për anëtarësim në bllokun evropian kanë ngecur pas kritikave për përpjekjet e Turqisë për të adresuar shqetësimet për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

“BE-ja po tenton ta distancojë veten nga ne”, tha Erdogan, teksa u nis për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Erdogan kishte marrë një premtim nga Brukseli se bisedimet për anëtarësim, që fillimisht kishin nisur më 2005, do të ringjalleshin, në këmbim të heqjes së bllokadës së Ankarasë për pranimin e Suedisë në NATO.

Gjatë këtij muaji, komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, vizitoi Turqinë. Gjatë kësaj vizite ai tha se përderisa anëtarësimi ka “një potencial të madh”, BE kërkon që të shohë veprime të Turqisë sa i përket çështjes së të drejtave të njeriut para se të rinisin bisedimet.

Turqia kishte aplikuar për anëtarësim në BE më 1999, por bisedimet për anëtarësim nisën më 2005. Por, këto bisedime janë ngrirë që nga viti 2018 dhe Parlamenti Evropian ka thënë se ngrirja e bisedimeve ka ndodhur për shkak të “ngecjeve në demokraci”.

360grade.al

Share: