Home KRYESORE Flutura Açka u dorëhoq si kryetare e komisionit të Edukimit, Fuga: Dëshmitar...

Flutura Açka u dorëhoq si kryetare e komisionit të Edukimit, Fuga: Dëshmitar i presioneve ndaj saj! Kush mund t’i dalë përballë sot!?

Reagimi i plotë i akademikut Fuga:

Unë sot jam tërësisht në krah të zonjës Flutura Açka dhe e kuptoj fare mirë revoltën dhe dorëheqjen e saj si kryetare Komisioni e Kuvendit të Shqipërisë !

Jam dëshmitar dhe mirënjohës që ajo u kundërqendroi atyre dy a tre deputetëve të izoluar edhe nga deputetët e tjerë të grupit socialist që bënë çmos të më ndalonin në mënyrë absurde të merrja fjalën në komisionin e mediave dhe të edukimit të Kuvendit! A thua se Kuvendi ishte prona e tyre!

Jam dëshmitar se zonja Açka është ndodhur para presioneve të turpshme, sulmeve si edhe fyerjeve maskiliste që çudi guxon dikush t’i bëjë një zonje deputete, një shkrimtareje të nderuar!

Unë jam në krah të zonjës Açka sot sepse ajo kishte shumë të drejtë kur projektigjin e Petro Koçit që ndryshoi në minutën e fundit mënyrën e zgjedhjes në Akademinë e Shkencave, një skandal i paparë, e quajti antikushtetues. Sikurse është!

Unë qendroj në krah të saj sot sepse jam dëshmitar që ajo që zonja Açka e quajti puç kundër Kuvendit të Shqipërisë dhe rregullores së tij, ishte një puç! E kam ndjekur nga afër gjithçka që çoi në mbledhjen e paligjshme të bërë për ta kaluar projektligjin e Petro Koçit dhe Ismet Beqirajt me çdo kusht dhe për ta votuar atë më pas në agim, në ora pesë të mëngjesit.

Përgjumësh!

Unë jam dëshmitar i përpjekjeve të zonjës Açka për të motivuar deputetët të mos votonin një projekligj surrogato. Por, askush nuk e dëgjoi ndonëse ishte shkelur dinjiteti i saj.

Unë jam dëshmitar i letrës plot me argumente logjike që ajo i dërgoi Presidentit Bajram Begaj, i cili jo vetëm që as edhe një audiencë nuk i dha, por edhe nuk dëgjoi asnjë fjalë nga ato që deputetja Açka i kishte shkruar. Madje nuk i tha as se : Ti gënjen! Apo : E ke gabim! Thjesht e injoroi letrën e saj! Habi sa një mal! Cfarë trajtimi ndaj një zonje deputete!

Kush mund t’i dalë tani përballë zonjës Açka sot, pas gjithë këtyre akteve, dhe t’i thotë: Mos na i hidh letrat në surrat!

Unë sot i shpreh të gjithë falenderimet asaj !

Share: