Home KRYESORE Gjykimi qe kërkon një gjithollog si Ministër Financash!

Gjykimi qe kërkon një gjithollog si Ministër Financash!

Nga Irena Beqiraj

Gjykatësi i cështjes së sterilizimit është shprehur në vetë të parë se ka kërkuar që hetimi të shtrihet edhe veprimet e ish Ministrit të Financave të e asaj kohe Shkëlqim Canit. Arsyet pse është kerkuar kjo , sic informojnë portalet por edhe nga pyetjet që më bëjnë shpesh miqtë e mi gazetarë të cilët duket se janë në djeni të plotë të arsyetimit të gjykatësit, janë suprizuese. Por sërisht kam një shpresë që “gabohen” gazetarët e portalet, edhe në këtë dreq vend shpresa duhet patjetër të vdesë e fundit.

Përshembull: është ngritur pretendimi se , studimi i fizibilitetit së bashku me (projeksionet) e pasqyrave financiare nuk kanë qënë të firmosura dhe si të tilla duheshin konsideruar formalisht jo në rregulla, dhe të pavlefshme nga Ministri i Financave. Sipas arsyetimit të gjykatësit kjo pavlefshëri rrjedh nga fakti që studimi i fisibilitetit është konsideruar i barazvlefshëm ligjërisht me dokumentin financar.

Studimi i fisibilitetit në asnjë literaturë as ligjore , as financiare e as kontabël nuk klasifikohet si dokument financiar.

Sipas nenit 4 pika 26 i ligjit 10296 për “Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” që është marrë në referim parashikohet që :

“Dokument financiar” është çdo informacion origjinal, plotësues, si dhe të dhënat kontabël të regjistruara në çdo lloj forme, të krijuara, të marra apo të mbajtura nga njësitë publike”.

Dhe këtu është fjala për faturat e shitjeve dhe blerjeve, fletë hyrje, fletë dalje , gjendje invetari apo asetesh, mandat arkëtime apo pagese, lëvizjet e bankës, urdhër pagesat të cilat në tërësinë e tyre përshkruajnë një transaksion ekonomik. Po ashtu dokument financiar konsiderohet edhe gjithë elementët e raportimit financiar ( pasqyrat financiare ) të cilët që janë produkt i procesit të kontabilizimit të dokumentave fiananciarë .

Po sipas të njëjtit nen përcaktohet që “dokumenti financiar duhet të përshkruajë me vërtetësi veprimin ose ngjarjen, ndryshe transaksionin që ka për objekt, të përmbajë të dhëna për shkakun e veprimit, datën dhe vendin e kryerjes, objektin, treguesit sasiorë e ato të vlerës, personat që kanë urdhëruar dhe ekzekutuar veprimin, e të tjera të dhëna të nevojshme që i japin dokumentit forcën e një prove ligjore ose administrative”.

Ndërsa studimi i fisiblitetit nuk ka për objekt një transaksion ngjarje apo veprim ekonomik , por është : një analizë dhe vlerësim i një projekti për të përcaktuar nëse ai (1) është teknikisht i realizueshmëm, (2) është financiarisht i realizueshëm duke parashikuar një kosto apo vlerë (3) është ligjërisht i realizueshëm, (4) edhe është i qëndrueshëm nga ana mjedisore. Si i tillë asesi nuk mund të klasifikohet si dokument financiar, edhe nuk mund të trajtohet si i tillë.

Deri tani nuk kam hasur në asnjë parshikim ligjor që përcakton se Ministri i Financave ka të drejtën edhe aq më shumë detyrimin të vendosë në dyshim vlefshëmërinë apo vërtetësinë e dokumenteve, apo studimeve të prodhuara nga ministritë e linjës të cilat përcillen tek ai të bashkengjitura nje shkrese percjellese me datë, numër protokolli, vulë , edhe e firmosur nga drejtuesi i autoritetit kontraktor.

Një tjetër konkluzion interesant i arritur qenkërka që “treguesit financiar të cdo projekti koncensionar janë kompetencë funksionale e ministrisë së financave si garantuesja e sistemit buxhetor” Në bazë të kësaj logjike arsyetohet që Ministri i financave “mund të administronte informacion zyrtar lidhur me parashikimet për prokurimet publike për mallrat dhe shërbimet objekt koncensioni, për vitet në vijim si dhe mund të merte informacion zyrtar lidhur me prokurimet e realizuara nga ministria e Shendetësisë dhe spitalet, pasi ky informacion do të ndihmonte Ministrin e Financave për të konkuduar mbi fondin limit edhe mbi faktin nëse kjo procedurë ishte më e favorshme ekonomikisht se prokurimi publik” .

Kur e dëgjova këtë e përfytyrova Ministrin e Fnancave para një tabele më tre kolona duke shënuar cmimet ,sasitë edhe vlerat e hekurit, cimentos naftës, betonit zhavorit gozhdeve për të ripërcaktuar edhe rikonfirmuar kostot e rrugëve. Pasi të ishte bërë ekspert i kostove të rrugëve në një tabelë tjetër të fillonte të analizonte cmimet sasitë edhe vlerat e shiringave, detergjenteve, gëshërëve e mjeteve spitalore, disifektuesve edhe carcafëve të spitaleve. Pasi të ishte specializuar në analizën e kostos së sterilizimit, check up, dializës dhe labratorëve, të fillonte nga analizat e kostove turbinave, makinerive dhe paisjeve të hidrocetraleve, termocetrale dhe djegsave. Thjesht imagjinova një version të CHAT GPT!

J0! Ministria e Financave e aq më pak Ministri i Financave nuk mundet , nuk duhet, dhe nuk ka detyrim të ribëj në mënyrë të pavarur kostimin e cdo shërbimi që jepet me PPP në shtetin Shqiptar , përvec rasteve kur Ministria e Financave është autoritet kontraktor . Nëse kjo do të ndodhte do të ishte një tejkalim i kompetencave dhe shkelje e ndarjes së të fushave të përgjegjësisë për cdo ministri. Kostimi i një shërbimi të ofruar me koncension ose jo, është detyrë edhe përgjegjësi e autoritetit kontraktor. Ministri i financave nuk ka për detyrë dhe aq më shumë nuk është parashikuar të këtë brenda Ministrisë së Financave të gjitha kapacitetet profesionale që të konfirmojë si të vlefshme ose jo analizat e bëra edhe të pranuara nga Ministrat e Linjës. Thënë këtë llogaritja e treguesve financiar të cdo projekti janë kompetencë funksionale e ministrisë që e ndërmerr atë.

Garantimin edhe respektimin e sistemit buxhetor nga të gjithë njësitë pubike, Ministri edhe Ministria e Financave nuk e siguron duke ribërë detyrat e tyre e as duke “hetuar” si ato i kanë bërë detyrat e tyre , por duke hartuar ligjet, rregullat, udhëzimet, dhe duke u siguruar që cdo njësi publike ka brenda saj të gjitha mekanizmat e kontrollit edhe manaxhimit financiar. Zbatimi i kuadrit rregullator edhe funksionimi mekanizmave të kontrollit garantohet me anë të kontrollit të brendëshëm të njësisë dhe KLSH.

Ndërkohë tek ligji i partenritetit publik privat, apo akteve nënligjore të zbatimit të tij , por edhe Ligji organik i Buxhetit qe kanë qenë në fuqi deri në 12 janar 2015 kur është miratuar kjo procedurë koncensioni , thuhet e zeza mbi të bardhë që vetëm projektet që kanë nevojë për mbështetje financiare, kërkojnë një miratim paraprak nga Ministria e Financave, miratim i cili lidhet vetëm me përballueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe fizibilitetin fiskal, pra si ndikon ai tek shpenzimet buxhetore, deficiti buxhetor, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente. Sepse nuk ishte kompetencë e ministrisë së financave që të përcaktonte treguesit financiar të një projekti koncensionar por vetëm ta vlerësonte atë nga pikëpamja e implikimeve fiskale eventuale, ligj vënësi kishte përjashtuar nga miratimi i paraprak i Ministrisë së Financave të projekteve koncensionare pa implikime në buxhetin qëndror ose buxhetet lokale.

Dhe së fundi po sipas VKM 575 ministri i financave e miraton ose jo projektin duke u mbeshtetur vetëm në një këndvështim strikt buxhetor : “nëse shuma e parashikuar dhe mënyra e pagesës së mbështetjes financiare janë të përballueshme dhe të qëndrueshme”.

Do isha e lumtur nëse këto rreshta do të qartësonin në opinionin publik pozicionin e Ministrit Cani të cilin e vlerësoj shumë, për profesionalitetin integritetin, edhe prudencën në ushtimin e detyrës por sot më shumë sesa Canin dëshiroj që zëri im modest publik të mbështesë sado pak atë armatë profesionistësh të Ministrise së Financave cilët po vuajnë keq arsyetimin apo keq përdorimin e fakteve. Këtyre njerëzve pikërisht sepse nuk ishin CHAT GPT (ose gjithollogë) u detyrohem një pjesë të mirë të njohurive që ndaj sot në publik.

Share: