Home Gjeo-Ekonomia Kur armiqtë gjeopolitikë bashkëpunojnë për naftën: SHBA-Iran dhe Arabia Saudite-Rusi

Kur armiqtë gjeopolitikë bashkëpunojnë për naftën: SHBA-Iran dhe Arabia Saudite-Rusi

Nga Gurakuç Kuçi

Situata e sotme gjeopolitike është e paprecedentë, nëse Lufta e Ftohtë ka prodhuar shumë mësime gjeopolitike, sot kemi një dinamikë substancialisht më pragmatike dhe real-politike.

SHBA-ja bashkëpunon me armikun e saj pothuajse kryesor, Iranin për naftën, në anën tjetër partneri strategjik i SHBA-së Arabia Saudite bashkëpunon me Rusinë.

Çmimi i naftës është vazhdimisht në rritje dhe si duket nga rrethanat aktuale do të vazhdoj të shënoj rritje për të paktën deri në fund të vitit duke mbetur kështu një aset i rëndësishëm energjetik.

Arabia Saudite dhe Rusia, anëtarët kryesorë të OPEC+ kanë njoftuar se do të vazhdojnë reduktimin e prodhimit të naftës deri në fund të vitit, Arabia Saudite me 1 milion fuçi përderisa Rusia me 300 mijë fuçi. Me 21 gusht 2023 pas një marrëveshje SHBA-Iran për lirimin e disa pengjeve amerikane u bë edhe marrëveshja për rritjen e prodhimit të naftës nga Irani, kjo e fundit kishte njoftuar se kishte rritur eksportet e saj për 30% duke rritur prodhimin në 3 milion fuçi.

Këto ngjarje së fundmi kanë tronditur tregjet ndërkombëtare të naftës duke e dërguar një barelë naftë deri në 88.01-90 dollarë (çmimi aktual sot është mbi 86 dollarë). Po ashtu, kjo po tronditë edhe planin e Biden për të mbajtur çmimin e naftës nën kontroll kur tani është në prag të fushatës zgjedhore.
Kjo ka shkaktuar lëkundje të mëdha edhe në çmimit e aksioneve amerikane dhe pastaj evropiane.

Marrëveshja ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit u kritikua nga Izraeli pasi u pa si mundësi e forcimit të Teheranit. Mirëpo, kjo nuk paraqet një ulje tensionesh mes SHBA-së dhe Iranit, por më shumë një partneriteti “ad hoc”, që SHBA të kontrollonte çmimet, Biden të mbante nën kontroll fushatën zgjedhore dhe Irani të dalë nga ngufatja e sanksioneve kryesisht nga SHBA-ja në vitet e kaluara dhe po ashtu për Iranin më mirë është një demokrat se një republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Sidoqoftë, këto lëvizje taktike nuk përbëjnë tablonë e bashkëpunimeve të ardhshme gjeopolitike, por tregojnë faktin se sa në panik është perëndimi në këtë situatë ku bota po bëhet multipolare dhe po aq sa të ndërvarur janë shtetet mes vete edhe kur janë kundërshtare si në rastin e Iranit apo Rusisë.

Share: