Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ i Çapajev Gjokutaj

Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ i Çapajev Gjokutaj

Në postimin për qumështin pluhur, më shkruan një zonjë, tregohesh shumë cinik. Poshtron në grup gjithë kontrollorët e ushqimeve, i krahason me qentë që mbyllin sytë e s’bëjnë detyrën, se presin ndonjë kockë nga pronarët e fabrikave.

Ka edhe të tillë, shton zonja, por ka mes tyre edhe shumë njerëz të ndershëm e të ndërgjegjshëm. S’bën t’i futësh në një thes, të mirë e të liq.

Dhe zonja ka të drejtë. Çdo njeri vlerësohet për atë që bën. E thotë dhe proverbi, çdo dele varet nga këmbët e veta.

E megjithatë, parë nga një kënd tjetër rezulton se s’ka defter që i nxë e s’ka kandar që i mban dëmet që i kanë sjellë kësaj shoqërie dhe këtij vendi të pandërgjegjshmit nga radhët e kontrollorëve, supervizorëve, policëve, doganierëve, rojtarëve të pyjeve etj.

Pyje të tëra të prera, lumenj të gërryer për të marrë zhavor, ndërtime që hanë tokën e bukës, pengojnë kullimin dhe një e dy sjellin përmbytje.

Për të mos folur për tregun ushqimor, mbushur me prodhime të paçertifikuara e jo rrallë edhe të kontaminuara.

Toka vuan nga kaosi, erozioni e përmbytjet, njerëzit nga pluhuri, zhurmat e sëmundjet.

Mbase e teproj po të them se, atë që i ka bërë këtij vendi skota e supervizorëve të pandërgjegjshëm, nuk ia ka bërë asnjë lloj pushtuesi.

Ti do pyesësh: mirë këta laro që shesin vendin, sigurinë dhe shëndetin tonë për ndonjë kockë, po shteti e shtetarët ç’bëjnë?

Hë pra ç’bëjnë, të kam rixha!? Gojët e liga thonë se, në shkëmbim të lëshimeve për të paligjshmen, këta që janë sipër nuk lëpijnë kocka, po marrin copa Shqipërie dhe i kapërdijnë me oreks Gargantuai e me pangopësi Tantali.

Ndërkohë dihet ajo që bëjmë ne, medemek qitetarët e këtij vendi: shtrojmë kurrizin dhe paguajmë me taksat tona edhe shtetarët e panginjur, edhe skotën e larove.

Share: