Home Gjeo-Ekonomia Nga urrjejtja raciste antiarabe Netaniahu justifikon Hitlerin për holokaustin

Nga urrjejtja raciste antiarabe Netaniahu justifikon Hitlerin për holokaustin

Nga Shaban Murati

Gazeta e njohur ruse “Pravda” njoftonte në 28 shtator 2023 se në internet është shpërndarë një video, në të cilën kryeministri i Izraelit, Beniamin Netaniahu, në një fjalim të tij deklaron se Hitleri nuk ka faj për holokaustin në Luftën e Dytë Botërore, ku sipas të dhënave të Izraelit u vranë nga nazistët 6 milion çifutë, por e kanë fajin arabët, se ata ia kërkuan një gjë të tillë udhëheqësit nazist.

Sado paradoksale të duket, fjalimi i Netaniahut me këtë përmbajtje filohitleriane është i vërtetë dhe konfirmohet nga agjencitë më të mëdha të informacionit në të gjithë botën, përfshirë edhe vetë Izraelin.

Në fjalimin e mbajtur në Kongresin Botëror Sionist në 21 tetor 2015 në Jeruzalem kryeministri i Izraelit, Netaniahu, deklaron se Hitleri nuk donte t’i zhdukte çifutët, por vetëm t’i dëbonte nga Europa, dhe ishte myftiu i Jeruzalemit që në një takim me Hitlerin në vitin 1941 e bindi atë që të bënte holokaustin.

Profesor Moshe Zimmerman i Universitetit të Jeruzalemit lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit izraelit, i deklaroi Agjencisë së madhe amerikane të lajmeve “Asoshiejted Press” se “kushdo që kërkon t’ia hedhë të tjerëve barrën e Hitlerit është formë e mohimit të holokaustit”.

Politikani izraelit Itzik Shmuli deklaron për këtë fjalim: “Është turp i madh, kryeministri i Izraelit në shërbim të mohuesve të holokaustit”. Politikania izraelite Zehava Galon ironizon: “Ndoshta ata 33771 çifutë të vrarë nga nazistët në Babi Jar dy muaj para se Hitleri të takonte myftiun e Jeruzalemit duhen çvarrosur që të mësojnë se Hitleri nuk kishte ndërmend që t’i vriste ata”.

Është e qartë në planin juridik, historik dhe moral se kushdo që çfajëson Hitlerin për holokaustin bën të njejtin faj si ata, që e mohojnë holokaustin. Në disa shtete të Europës mohimi i holokaustit konsiderohet faj penal dhe dënohet me ligj. Në disa shtete të Europës janë dënuar historianë europianë, që në veprat e tyre kanë vënë në dyshim ekzistencën e holokaustit.

Nuk mund të mos habitesh që kryeministri i atëhershëm dhe i sotëm i Izraelit, ekstremisti Netaniahu, e çfajëson Hitlerin për holokaustin dhe asnjë kancelari europiane dhe perëndimore nuk e dënon.

Kryeministri Netaniahu është i verbuar nga urrejtja raciste antiarabe aq shumë, sa që në çmendurinë e tij pushtetare për të fituar kuota elektorale brenda vendit tenton që urrejtjen e popullit të Izraelit ndaj Hitlerit dhe holokaustit ta devijojë kundër popujve arabë. Por nuk mund të mos shtrosh pyetjen se si Europa hesht ndaj një urrejtje raciste të kryeministrit të Izraelit, e cila njësoj si në kohën e holokaustit prodhon luftra dhe gjak.

Ai që don, e kupton përse në Lindjen e Mesme nuk ka paqe…

Share: