Home KRYESORE Nuk më ka rastisur të blej qumësht, kos, djath etj., që të...

Nuk më ka rastisur të blej qumësht, kos, djath etj., që të mbajnë shenimin se janë përgatitur me qumësht pluhur!

Nga Çapajev Gjokutaj

Dhjetra ton qumësht pluhur importohen çdo muaj, thonë mediat. I sjellin kryesisht fabrikat e përpunimit të qumështit. Sasia rritet në vite se prodhimi vendas nuk mjafton madje, shtojnë disa, sa vjen e paksohet.

Ka që e shpjegojnë këtë me konkurencën e huaj, të tjerë me subvencione të pamjaftueshme, të tjerë me emigrimin; të tjerë akoma, dhe këta jemi ne, shumica, qahemi e themi se qumështi dhe produktet e tij në treg nuk kanë shijen e dikurshme.

Nuk e di pse kjo puna e mungesës së shijes më sjell në mend historinë e atij verëbërësit që, në shtratin e vdekjes, kur po i linte amanetet djalit, gjeti kohë t’i thoshte: Mos harro, bir, se vera bëhet edhe nga rrushi.

Lënë mënjanë anekdotat dhe hamendjet, fakt është se deri më sot nuk më ka rastisur të blej qumësht, kos, djath etj., që të mbajnë shenimin se janë përgatitur me qumësht pluhur. Jam i bindur se as juve nuk ju ka rastisur.

Me sa duket ato dhjetra ton pluhur që importohen i hanë pronarët e fabrikave. Mundet që diç, si puna e kockave, u hedhin edhe kontrollorëve të ushqimit😜

( Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ )

Share: