Home KRYESORE Për çfarë atdhetarësh ka nevojë Atdheu sot?

Për çfarë atdhetarësh ka nevojë Atdheu sot?

Nga Mentor Kikia

Një atdhetar, apo atdhedashës, nuk është ai që bën më mirë shqiponjën me duar;

As ai që bërtet më fort thirrjen “O sa mirë me qenë shqiptar”;

As ai që valëvit më shumë e më lart flamurit “autokton”, ku përfshihet edhe gjysma e Europës Perëndimore;

As ai që shan më shumë grekët dhe serbët…

Demagogjinë nga patriotizmi folklorik e ndan vetë një vijë e hollë.

Një atdhetar e patriot është ai që nuk i bën keq vendit të tij. Që nuk e shkatërron, nuk e ndot, nuk e djeg, nuk e vjedh. Ky lloj patrioti është i padukshëm sot, sepse podiumin e kanë pushtuar ata të demagogjisë. Por, tek e fundit, kur ata që kanë në dorë ta ruajnë kanë rrëmbyer kazmën e po ia nxjerrin themelet atdheut, ata që nuk bëjnë dëme janë fare të padobishëm.

Ndaj, mendoj se ai që e do këtë vend, nuk mjafton të mos i bëjë dëm, por duhet ta ngrejë grushtin fort e të luftojë për ta ndalur atë që po e shkatërron.
Do të vijë një ditë, kur fëmijë, nipër e mbesa të mësojnë se çfarë i bënë Shqipërisë në “kohën tonë”, dhe të na pyesin: Po ju çfarë bënit?

Ne? Ne shikonim dhe dëgjonim. Dëgjonim, shanim, e mallkonim.

Share: