Home KRYESORE Përpjekjet për të realizuar një film për burgun e Spaçit

Përpjekjet për të realizuar një film për burgun e Spaçit

“SPAÇ 2023” nga Visar Zhiti

Përpjekjet për të realizuar një film për burgun e Spaçit, pēr revoltën e të burgosurve atje, i ngjajnë një filmi tjetër. Është një ndërrmarje e madhe, që kërkon mbështetje të fortë, jo vetëm financiare, por dhe morale, ndërgjegjësim kolektiv dhe nderim real për vuajtjen njerëzore dhe për atë ëndërr të të burgosurve për një Shqipëri Euroatlantike… Ndërkohë Spaçi si një përbindësh i tmerrshëm ka rënë përdhe dhe i kanë mbetur vetëm kokallat.

Duhet ringritur, jo si burg, por si muze, ku dhe të mund të xhirohet…

Regjisori Namik Ajazi e ndjen si një mision dhe si një peng filmin e tij të ardhshëm dhe përpjekjet e tij disavjeçare janë shtuar si brenda vendit, po ashtu dhe jashtë, në Italinë përballë, ku ai bashkëpunon, që na njeh dhe na kupton dhe na do…

E gjitha kjo është dhe kulturë dhe ne takuam dhe Ministren e Kulturës, znj. Elva Margariti. E çmojmë mirëkuptimin dhe fillimin e një përkushtimi mbështetës. Përveç të tjerash ky film do të këtë një të veçantë të rrallë dhe domethënëse, tepër emocionuese, regjisori i tij, skenaristi dhe piktori, që të tre kanë qenë vetë të burgosur politikë, madje do të thirren dhe të tjerë nga ata, që kanë qenë të dënuar, të interpretojnë, tani në rreshta si të burgosur të moshuar, por në bezen e ekranit.

Kjo ndoshta, parë nga një aspekt tjetër, ka për të bërë që ky film të ketë diçka të jashtzakonshme. Ia thashë dhe ministers. Do të jetë dhe një tregues i ndryshimeve. Ma pohoi. Ndërkaq duhet të ishte shteti, institucionet e tij, që duhej ta kërkonin këtë film të ri, ndryshe dhe si ndërprerje estetike dhe morale të filmave të socrealizmit

Po duket se përpjekjet e regjisorit Ajazi me institucionet shqiptare janë në rrugë të mbarë. Dhe dy imazhe po nga rruga me ministren e kulturës.
Më pas na pret bota…

Visar Zhiti

Share: