Home Gjeo-Ekonomia Pse Suedia dhe Danimarka nuk e ndalojnë djegien e Kuranit?

Pse Suedia dhe Danimarka nuk e ndalojnë djegien e Kuranit?

Aktivistë kundër Islamit në Suedi dhe Danimarkë kanë djegur ose dëmtuar së voni disa kopje të Kuranit – librit të shenjtë të myslimanëve.

Vandalizmi i fundit ka ndodhur më 3 shtator në qytetin Malmo të Suedisë dhe është kryer nga Salwan Momika.

Ngjarja është pasuar me përleshje të dhunshme midis protestuesve të zemëruar dhe policisë, e cila ka arrestuar së paku dhjetë prej tyre.

Momika është refugjat nga Iraku, i cili thotë se kundërshton gjithë institucionin e Islamit.

Ai ka djegur disa kopje të librit të shenjtë në muajt e fundit.

Aksione të ngjashme kanë kryer edhe aktivistë të tjerë të ekstremit të djathtë, si në Suedi, ashtu edhe në Danimarkë.

Dhe, tezë e përbashkët e të gjithë atyre është se myslimanët nuk i përkasin Evropës, e aq më pak vendeve nordike.

Qeveritë e shumë vendeve me shumicë myslimane i kanë dënuar në termat më të ashpër aktet e përdhosjes së Kuranit.

Në mes të korrikut, qindra njerëz kanë sulmuar ambasadën suedeze në Bagdad, duke i vënë flakën disa pjesëve të saj.

Iraku, gjithashtu, ka dëbuar ambasadorin suedez dhe ka udhëzuar homologun e tij irakian që të tërhiqet nga ambasada në Stokholm.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO, derisa Stokholmi nuk e adreson çështjen e djegies së Kuranit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë thirrje Suedisë që ta dorëzojë Momikën dhe djegësit e tjerë të Kuranit përpara “sistemeve gjyqësore të vendeve islamike”.

Zhvillimet kanë ngritur alarmin në vendin që tradicionalisht e ka parë veten si respektues të pakicave.

Shërbimi suedez i sigurisë, SAPO, ka thënë se djegiet e kopjeve të Kuranit dhe fushatat e dezinformimit e kanë transformuar imazhin e Suedisë – “nga një vend tolerant në një vend armiqësor ndaj Islamit dhe myslimanëve”.

“Policia e sigurisë po merret tani me kërcënime të vazhdueshme për sulme kundër Suedisë dhe interesave të Suedisë. Për rrjedhojë, alarmi për terrorizëm rritet në nivelin e dytë më të lartë”, ka njoftuar SAPO, muajin e kaluar.

Suedia është një ndër vendet me mbrojtjen më të madhe të lirisë së shprehjes.

Kushtetuta e saj garanton të drejtën e lirisë së shprehjes për çdo temë, përfshirë edhe “shprehjen e mendimeve që vënë në dyshim mesazhet fetare, ose që mund të perceptohen si të dëmshme për besimtarin”.

Qeveria suedeze i ka cilësuar si “islamofobike” përdhosjet e Kuranit dhe ka thënë se ato nuk reflektojnë qëndrimet e saj.

Por, një grup i shkrimtarëve suedezë ka thënë se ky reagim “është jashtëzakonisht i papërshtatshëm” dhe se nuk përkon me lirinë e shprehjes.

Ngjashëm sikurse Suedia, edhe Danimarka është në mesin e vendeve më laike dhe më liberale në botë.

Suedia e ka shfuqizuar ligjin e blasfemisë në vitin 1970, ndërsa Danimarka më 2017.

Pra, qeveritë e të dyja vendeve nuk kanë mjete ligjore për të ndaluar përdhosjet e Kuranit apo cilitdo libër tjetër të shenjtë. Megjithatë, kanë thënë se janë duke shqyrtuar mënyra për të ndaluar, ose së paku kufizuar aktet e tilla në vende publike.

Përse ky shqetësim apo rishikim i qëndrimit tani? Për programin Expose të Radios Evropa e Lirë përgjigjet Dino Krause, studiues në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare:

“Autoritetet daneze janë shqetësuar kryesisht për dy arsye. Në njërën anë, djegia e Kuranit ka çuar në pasoja të konsiderueshme diplomatike nga qeveri të ndryshme në vendet me shumicë myslimane… Në anën tjetër, ekziston rreziku i sigurisë, sepse djegia e Kuranit ka çuar në kërcënime dhe thirrje për dhunë nga një sërë aktorësh islamikë. Madje, edhe Al Kaida nxori një deklaratë të pazakontë që bënte thirrje për sulme kundër caqeve daneze dhe suedeze”.

Mohammad Fazlhashemi, profesor i Teologjisë Islame në Universitetin Uppsala të Suedisë, thotë për Exposenë se ndalimi i djegies së Kuranit nuk do të ishte zgjidhje.

“…sepse Rasmus Paludan, njëri prej aktivistëve që ka djegur Kuranin, ka thënë në një intervistë se nëse ndalohet djegia e Kuranit, ai do të urinojë mbi të ose do ta përdhosë në ndonjë mënyrë tjetër. Pra, nuk mendoj se problemi është te djegia e Kuranit. Problem është se si disa publicistë, politikanë, media dhe përfaqësues kulturorë e mbrojnë djegien e Kuranit në emër të lirisë së shprehjes”, thotë Fazlhashemi.

Ai shton se Qeveria suedeze nuk i miraton publikisht këto qëndrime, por se figura të ndryshme politike e bëjnë një gjë të tillë.

Ai nuk përmend emra specifikë, por anëtarët e Demokratëve Suedezë – një parti me rrënjë neo-naziste, e cila tani është partia e dytë më e madhe në Parlament – kanë reaguar hapur me përbuzje kundrejt myslimanëve.

“Ne nuk kemi asgjë për të mësuar nga vendet myslimane”, ka shkruar në platformën X Richard Jomshof, një ligjvënës i kësaj partie. “Është e çuditshme dhe qesharake që ato të lejohen të na japin leksione për demokracinë dhe lirinë e shprehjes”, ka thënë ai.

Fazlhashemi, nga Universiteti Uppsala, thotë se legjislacioni suedez nuk mund të cilësohet se islamofobik, por ai përmend një raport të Këshillit Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit, të vitit 2021, ku thuhet se krimet islamofobike marrin forma të ndryshme dhe nuk mund të kufizohen te një person i caktuar.

I pyetur se si do të duhej të adresohej çështja e djegies së Kuranit, Fazlhashemi thotë: “Nëse më shumë politikanë, përfaqësues kulturorë dhe publicistë e dënojnë djegien e Kuranit dhe i dërgojnë mesazh komunitetit mysliman se ne jemi me ju, nuk jemi kundër jush, ne ju mbështesim… le të djegin ata Kurane sa të duan. Por, ne nuk e kemi këtë lloj qëndrimi nga politikanët ose publicistët”.

“Shumë thonë se nuk duhet të dorëzohemi ose të tërhiqemi, sepse diktatorët në vendet myslimane e kërkojnë këtë. Por, unë nuk pajtohem, sepse nëse ju e keni këtë problem, ata do ta përdorin këtë për qëllime të brendshme ose ndërkombëtare. Ne duhet të bisedojmë me komunitetin mysliman këtu në Suedi. Nëse e dërgojmë sinjalin e duhur tek ai, unë nuk mendoj se ai do të jetë aq i ndjeshëm për këtë çështje”, thotë Fazlhashemi.

Kreu i Federatës Islamike të Suedisë, Mahmoud Khalfi, ka thënë se përpjekjet e organizatave islamike për të biseduar me Qeverinë suedeze, kanë hasur në heshtje.

“Duhet t’i përgjigjeni gjithë kësaj me diçka konkrete. Dërgoni një sinjal në botë se ne e marrim seriozisht këtë dhe do ta zgjidhim”, ka thënë Khalfi.

Dino Krasue, nga Instituti Danez për Studime Ndërkombëtare, thotë se djegiet e Kuranit janë instrumentalizuar nga qeveritë e disa vendeve me shumicë myslimane, të cilat i paraqesin ato si të orkestruara nga Qeveria daneze, pavarësisht faktit se autoritetet daneze, sipas tij, nuk kanë mjete ligjore për t’i ndaluar vandalizmat e tillë.

“Ky lloj diskursi ka krijuar imazhin e rremë të një komploti të shtetit kundër Islamit. Por, në fakt, është vetëm një numër shumë i vogël i individëve që djeg Kuranin”, thotë Krause.

Në Suedi, për shembull, një anketë e kryer së voni nga transmetuesi publik STV, ka treguar se shumica e qytetarëve, 53 për qind, janë kundër djegies së librave të shenjtë, si Kurani dhe Bibla; 34% kanë thënë se aktet e tilla duhet të lejohen, ndërsa 13% janë shprehur të pavendosur.

Në vendet e tjera të Evropës, si Gjermania, Italia, Polonia dhe Finlanda, shpifjet kundër një feje janë vepër penale. Në Angli dhe në Uells, ligjet e blasfemisë janë shfuqizuar në vitin 2008, por përdhosja e Kuranit dhe e shkrimeve të tjera të shenjta mund të dënohet me ligjin kundër nxitjes së urrejtjes fetare.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka thënë se situata e sigurisë në vendin e tij është në nivelin më serioz që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm suedez, Tobias Billstrom, “zgjidhje të shpejta nuk ka”. /REL

Share: