Home Gjeo-Ekonomia Publikohet dokumenti, i hapet rruga zgjedhjeve në veri të Kosovës!

Publikohet dokumenti, i hapet rruga zgjedhjeve në veri të Kosovës!

Vetëm pak ditë përpara takimit të 14 shtatorit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, qeveria e Kosovës publikoi Udhëzimin Administrativ që u mundëson qytetarëve serbë që përmes peticionit të shkarkojnë kryetarët shqiptarë në veri, të cilët nuk pranohen për komunitetin serb që jeton në atë pjesë. 

Autoritet qendrore kosovare janë  zotuar, se do të mbajnë zgjedhje të reja në katër komunat në veri, ndonëse dorëheqja e kryetarëve shqiptarë nuk është duke u shqyrtuar. Pas publikimit të dokumenti, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se udhëzuesi synon përcaktimin e procedurës së fillimit të organizimit dhe dorëzimit të nismës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.  Aty theksohet se mbledhja e firmave duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion, por ka edhe një sërë procedurash.

“Fillimisht duhet të krijohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komuna përkatëse. Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal, në komunën përkatëse dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar”, sqaron dokumenti. Kërkesa për largim të kryetarëve aktualë duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në atë komunë.

Firmat duhet të mblidhen në një afat brenda 30 ditësh me mundësinë e zgjatjes së afatit edhe për 15 ditë tjera dhe do të verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për të larguar kryetarin e një komune përmes peticioni sipas dokumentit duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote në atë komunë./Top Channel

Share: