Në këto çaste, BE po shqyrton masa të rrepta ndëshkuese kundër Serbisë. Josep Borrell mbrëmë në një tubim me dyer të mbyllura kishte propozuar sanksione kundër saj.
Në vazhdim, ai kishte kërkuar që komplimentet publike ndaj Vuçiqit të ulen për 24.09%… “Pse pikërisht 24.09%?”, e kishte ndërprerë i tmerruar Lajçak.
“Sepse më 24.09 kishte dështuar ndërhyrja “humanitare për denazifikimin dhe paqësimin e Veriut të Kosovës,” kishte shtuar ai.
“Duhet!”, kishte ndërhyrë një njeri tjetër nga fundi i sallës. Edhe pse janë masa shumë të ashpra, duhet të aprovohen sepse shqiptarët po ju akuzojnë si proserb. Ata po thonë Stano, slovak, Lajçaku slovak, Borreli spanjoll, domethënë që të tre janë nga vende që e njohin Kosovën dhe Metohinë si territor të Serbisë dhe nuk mund të keni kredibilitet në mashtrimin e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, mirëpo, nga vazhdimi i negociatave, përfitoni ju nga turizmi diplomatik… Më kuptoni?!”, pyeti ai në fund. Ata heshtën.
Në Bruksel po konsultohen ende 27 liderët e BE-së, por lajmi që doli jashtë ishte se Orban nuk është pajtuar dhe e ka quajtur të padrejtë, të rëndë dënimin dhe jo në përpjesëtim me veprën. Ai kishte propozuar uljen e komplimenteve për 0.0024%.
Gjysmë orë pas tij, edhe dashnorja e Putinit, Zaharova, shkroi një status në Facebook. “Nuk mund të quhet “akt terrorist” kur shteti e stërvit një brigadë dhe kur shteti e dërgon atë në një mision denazifikimi. Ajo ushtri ishte me uniformë dhe drejtohej nga kryesia e partisë serbe, e cila drejtohet nga Vuçiqi. Domethënë është ndërmarrje institucionale. Akt terrorist është kur grupi vepron pa dijeninë e shtetit, jo kur e armatos qeveria, kur e përgatit dhe kur për ta shpallet ditë zie, si për heronjtë. Ata ishin përfaqësues të armatosur. Siç e shkroi edhe zoti Edi Rama.
Kosova është pjesë integrale e Serbisë dhe spastrimi i terrenit serb, nuk mund të quhet terrorizëm, por vepër higjienike. Pra, kur qëndron shteti pas, fitohet legjitimet ligjor dhe quhet “akt çlirimtar,” jo akt terrorist.
Ne jemi të bindur se lideri serb, Vuçiq, kishte ndërmend vetëm të denazifikojë Kosovën dhe ne e inkurajojmë të vazhdojë dhe të mos dorëzohet.
Denazifikimin e meriton edhe Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe i tërë Ballkani. Ne do ta ndihmojmë vëllanë tonë të vogël dhe do të përcjellim ngjarjet nga afër me instruktorët tanë. Ju me ledhatime nuk mund ta përfitoni atë që e keni bombarduar! Harrojeni! Serbia do të jetë gjithmonë një ekslavë ruse! Ne e kemi krijuar atë të madhe për ta mbikëqyrur Ballkanin, ju e keni zvogëluar! Kriminelë”, përfundon statusi i Marija Vladimirovna Saharova.
Tubimit sekret i kishte dërguar një status mospajtimi edhe Kryeministri i Shqipërisë. Nuk dihet si mori vesh për mbledhjen sekrete, por atij nuk i shpëton asgjë, madje edhe kur një klient nuk paguan një picë në një restorant të Shqipërisë. Mu si xhaxhi që dje dinte se kush me kë martohet!
Edi Cullaku në statusin e tij, që ia kishte dërguar edhe kancelarit gjerman dhe kryetarit francez, kishte kundërshtuar sanksionet kundër Serbisë dhe e kishte arsyetuar kështu: “Reduktimi i komplimenteve për mikun tonë mund të dëmtojë edhe personalitetin tim të qetë, të vetëpërmbajtur, të ekuilibruar dhe të balancuar! Unë gjithmonë kam kundërshtuar sanksionet kundër Vuçiqit humanist dhe, edhe sot, nuk do të pajtohem. Nuk do t’ishte pajtuar as Hashimi, as Mustafa, as Erdogani…
Ose, nëse duhet patjetër, atëherë 1.3%, sepse është vrarë vetëm një policë dhe janë plagosur vetëm tre të tjerë. 23.09% është ekzagjerim. E pastaj, sanksionet shumë të ashpra, do t’i jepnin Kurtit të drejtë dhe kjo nuk është mirë. Sikur të mos e kishte refuzuar Albin Kurti Ballkanin e Hapur, Serbia nuk do ta kishte sulmuar Kosovën, sepse nuk do të kishte pasur kufi dhe dhe nuk do t’ishte ndier nevoja…” kishte shkruar në fund të statusit të tij Edi Rama, i quajtur edhe Edi Lucvarë.
Me propozimin e tij ishte pajtuar i pari Grenell, pastaj edhe Christopher Hill. Gabriel Escobar nuk është deklaruar ende. Disa thanë se është mbyllur në një qeli qysh nga e diela dhe po mediton.
Në Bruksel një burim anonim tha se Edit nuk ia varë njeri atje; në fakt e thërrasin kur kanë nevojë për humor, kur ndihen të dëshpëruar. Dhe me atë status të tij qeshjet e tyre po dëgjohen në shesh. Në BE e njohin atë si reinkarnimin të dy vëllezërve gazmorë boshnjakë: Hasës dhe Husës. Edhe Erdogani e do shumë. E quan me dashuri Lezet-Insani ose Nasradin, por kryesisht kur vishet seksi me shallvare apo pizhame dhe kur shërben si objekt erotik eksitimi.
Kundërshtarët e quajnë padrejtësisht “kloun psikopatik,” që ka humbur kontaktin me tokën, por nuk është e vërtetë. Ai është i gjatë, por ka gjithmonë kontakt me tokën. Ngadalë po e tërheq gravitacioni, por kjo është normale, ndoshta edhe burgu…
Nëse aprovohen sanksionet kundër Serbisë, një burimi paidentifikuar tha se nesër në mëngjes herët, sapo të këndojë kaposhi i parë i Brukselit, Borrel e Lajçak do t’i shpjegojnë dhe do t’i arsyetojnë ato më hollësisht…