Home Gjeo-Ekonomia Shpërthim i fuqishëm në Nagorno-Karabak, së paku 20 të vrarë dhe qindra...

Shpërthim i fuqishëm në Nagorno-Karabak, së paku 20 të vrarë dhe qindra të plagosur

Së paku 20 njerëz janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi në një depo karburanti në Nagorno-Karabak të Azerbajxhanit, thanë të martën autoritetet vendore armene.

Rreth 300 njerëz u dërguan në spitale, një pjesë e madhe e të cilëve në gjendje të rëndë.

Shpërthimi ndodhi në një kohë kur 13.500 refugjatë kaluan në Armeni nga kjo enklavë, tha Qeveria armene.

Rajoni i kontestuar Nagorno-Karabak është shtëpi e një shumice prej rreth 120 mijë armenëve etnikë.

Ende nuk është e qartë se cfarë e ka shkaktuar shpërthimin të hënën në mbrëmje në qytetin kryesore, Stepanakert.

Armenët e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit që në të kaluarën nuk ishte nën kontrollin e Bakusë, u detyruan të shpallin armëpushim më 20 shtator, pas një operacioni të lehtë ushtarak nga ushtria shumë më e madhe e Azerbajxhanit.

“Njerëzit tanë nuk duan të jetojnë si pjesë e Azerbajxhanit. Nëntëdhjetë e nëntë për qind parapëlqejnë t’i braktisin tokat tona historike”, tha David Babayan, këshilltar i Samvel Shahramanyan, presidentit të Republikës së vetëshpallur të Artsakut.

Azerbajxhani tha se do ta integrojë këtë rajon dhe se do t’ua garantojë të drejtat banorëve, por armenët thonë se i druhen shtypjes dhe spastrimit etnik. Azerbajxhani e ka mohuar një qëllim të tillë.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ajo që njihet si Lufta e Parë e Karabakut shpërtheu (1988-1994) mes armenëve dhe Azerbajxhanit të tyre. Rreth 30.000 njerëz u vranë dhe më shumë se një milion u zhvendosën.

Liderët armenë të Karabakut thanë në një komunikatë për media se të gjithë ata që mbetën të pastrehë nga operacioni i fundit ushtarak i Azerbajxhanit dhe duan të largohen, do të shoqërohen drejt Armenisë nga forcat paqeruajtëse ruse.

Për Azerbajxhanin, largimi i armenëve nga Karabaku është fitore e madhe e cila i jep fund një lufte shumëvjeçare dhe mosmarrëveshjeve rreth këtij rajoni.

Presidenti Ilham Aliyev tha se pushteti i tij e kishte konsideruar vetëm histori idenë për një Karabak të pavarur armen dhe se ky rajon do të shndërrohej në një “parajsë” si pjesë e Azerbajxhanit./ REL

Share: