Nga Artur Zheji
Mësymja e vërtetë terroriste në veri të Kosovës, nuk shpërtheu, specialët shqiptarë dhe aleatët specialë, u rrëfyen më të shpejtë dhe shkatërruan fitilin që do të ndizte dhe përgjakte shumë njerëz. Trishtimi i presidentit serb dhe zija kombëtare e Serbisë, për ti shndërruar terroristët në heronj, flet më shumë se çdo gjë që: fushata e ardhshme e Vuçiçit, do të ngrihet mbi barut dhe gjak. Amerikanët dhe britanikët, që janë aleatët tanë më të qëndrueshëm gjeopolitikë, ishin thelbësorë në këtë sukses. Specialët e Kosovës ishin brilantë, të ftohtë dhe të vetëpërmbajtur, snajperë të klasit të parë dhe nuk e shndërruan Fitoren në një masakër. Sepse e kishin mundësinë të bënin një kasaphanë mbi terroristët.
Mirëpo kjo është vetëm një betejë e një “Lufte” de facto të filluar, por de jure, një Luftë e padeklaruar!
Nuk ka vend për triumfalizëm, ndonëse shqiptarët kanë të drejtë të gëzojnë që i shtypën kokën gjarpërit, duke mos e lejuar të kafshojë për vdekje!
E them këtë se ne, si komb na ka ndjekur fati i keq që: edhe kur e fitojmë luftën, humbasim në paqe! Përçahemi egërsisht, korruptohemi paturpësisht dhe shitemi e blihemi lirisht te kundërshtarët historikë…
Kemi fituar sapo, edhe një betejë gjeopolitike ndërkombëtarisht sepse: sot Vuçiç është pa maskë. Pa maskën e tij Perëndim-dashëse, por sërish kjo nuk mjafton. Serbia është një faktor shumë i rëndësishëm dhe shumë i rrezikshëm njëkohësisht.
Albin Kurti doli me sukses nga një sprovë e fortë dhe sfilitëse: shumica e popullit u gëzua, konkurentët e tij politikë brenda Kosovës janë sot të hutuar, sepse Albini vijon të rritet politikisht dhe elektoralisht.
Por pikërisht këtu duhet të fillojë një kthesë drejt një Paradigme të Re përbashkuese, sepse de facto jemi në Luftë. Në një luftë jo vetëm të ftohtë, por tashmë tejet të nxehtë. Albini duhet të jetë nismëtar i një hapjeje të re ndaj Opozitës së tij: përreth disa pak pikave të patundshme të Sigurisë Kombëtare dhe të Politikës së Jashtme të Republikës së Kosovës.
Sepse lipset një bashkërendim urgjent i të gjitha energjive të Kombit, duke zhvendosur në plan të dytë: luftën e brendshme politike.
Sepse nëse Vuçiçi synonte dhe synon të shndërojë veriun e Kosovës në një Dombas dhe asociacionin ta degradojë në shpallje të pavarësisë së një enklave serbe, sëpaku shumica e shqiptareve duhet të shtrëngohen rreth një platforme të vetme qëndrestare.
Le të rrëfehet edhe politika e Kosovës, po aq virtuoze sa edhe specialët tanë trima…
360grade.al