Home Gjeo-Ekonomia Zhvlerësimi i euros/ Bie paraja në qarkullim, por rritet ajo jashtë sistemit...

Zhvlerësimi i euros/ Bie paraja në qarkullim, por rritet ajo jashtë sistemit bankar

Në muajin korrik 2023, paraja e gjerë në qarkullim në Shqipëri ka shënuar rënie, duke prekur nivelin më të ulët në një vit, por agregatët e saj janë rritur.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me rreth 3 mld lekë në një muaj duke arritur në 738 mld lekë në total.

Agregati M2 (M1 bashkë me depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) është rritur me 2 mld lekë duke shkuar në 938 mld lekë.

Agregati M3 (paraja e gjerë përfshin M2 plus depozitat në valutë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) ka pësuar një rënie me 11 mld lekë, duke u ulur në 1.622 mld lekë në qershor. Rënia e M3 lidhet me zhvlerësimin e valutave dhe raportimi i tyre bëhet në lekë. Ky tregues është 10 mld lekë më i lartë se një vit më parë, por krahasuar me janarin 2023, “mungojnë” rreth 50 mld lekë. Depozitat për të njëjtin muaj kanë rënë me 1.2% nga qershori duke ndikuar në rënien e M3, po si efekt i kursit të këmbimit.

Nga ana tjetër, rritje ka pësuar paraja jashtë sistemit, po për muajin korrik. Treguesi ka prekur vlerën e 409.3 mld lekëve, rreth 0.6 mld lekë të shtuara në një muaj. Kjo është shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë mbi paranë që qarkullon jashtë sistemit bankar. Kjo lidhet me përdorimin e fortë të cash-it në Shqipëri si formë e preferuar pagese nga konsumatorët, por edhe nga kufizimi i vetë bizneseve./Gazeta Si

Share: